Ndërlidhjet

BDI-ja, jashtë Parlamentit


Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë

Mosmarrëveshjet politike në Maqedoni kulmuan me largimin edhe të BDI-së nga Kuvendi. Pas bojkotit të një dite më parë të zgjedhjes së guvernatorit të ri të Bankës Popullore, partia shqiptare në Qeveri nuk u kthye as të enjten në Kuvend. Derisa nga VMRO-DPMNE thanë se raportet me BDI-në janë të mira, opozita shqiptare, nga ana tjetër, i bëri thirrje BDI-së që të largohet edhe nga Qeveria.


Kriza politike në Maqedoni u thellua pas largimit edhe të Bashkimit Demokratik për Integrim nga punimet e Kuvendit, në shenjë pakënaqësie ndaj, siç thuhet, mospërfilljes së kërkesës së saj nga ana e partnerit të koalicionit VMRO-DPMNE, për të mos votuar kandidatin e propozuar nga presidenti Gjorgje Ivanov për guvernator të Bankës Popullore të Maqedonisë.

Në fakt, votimi i Dimitar Bogovit për guvernator, ka bërë që BDI-ja të mos kthehet të enjten në seancat e Kuvendit.

Nga VMRO-DPMNE mohuan të jenë shkëputur kontaktet me partnerin shqiptar në Qeveri duke thënë se respektojnë vendimin e BDI-së, por, do të tentojnë që përmes argumenteve t’i zgjidhin mosmarrëveshjet.

“Gruevski dhe Ahmeti, në kuadër të bashkëpunimit të tyre të koalicionit, kanë komunikim të rregullt dhe realizojnë takime të rregullta, në të cilat bisedohet për të gjitha çështjet në interes të koalicionit. Ne e respektojmë vendimin e tyre dhe nëpërmjet bisedimeve, do të tentojmë t’i ballafaqojmë argumentet dhe të arrijmë deri te një gjendje më e pranueshme”
, deklaroi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE-ja.

Ndërkohë, nga BDI-ja, e cila për guvernator të Bankës Popullore synonte që për herë të parë të emërohet një shqiptar, nuk u prononcua për mediat lidhur me bojkotin.

Koordinatori i Grupit Parlamerntar, Tahir Hani, tha shkurt për Radion Evropa e Lirë se për të gjitha çështjet e hapura, do të vendosë Kryesia e partisë.

“Të enjten në mbrëmje do të kemi mbledhje të Kryesisë dhe të shohin si do ta trajtojmë situatën e krijuar”, tha Hani.

Derisa partitë e koalicionit dalin me qëndrime të kundërta për raportet mes tyre, nga opozita shqiptare i bëjnë thirrje BDI-së, që ta braktisë edhe Qeverinë, pasi, sipas Demokracisë së Re, pala maqedonase dhe presidenti Ivanov në vazhdimësi po shpërfillin dhe injorojnë BDI-në, duke i shkaktuar dëm të pariparueshëm pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.

“Në mënyrën më vëllazërore, ju apeloj që të mos kërkoni fajin te ne, apo te dikush tjetër, pasi faji është vetëm te ju. Por, ju apeloj që të dilni prej kësaj qeverie dhe ejani rreshtohuni në mesin e popullit shqiptar”
, theksoi nënkryetarja e Demokracisë së Re, Flora Kadriu.

Ndërsa, Partia Demokratike Shqiptare, përmes një letre të hapur, kërkoi ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për kapërcimin e krizës politike në Maqedoni.

“Lideri i PDSH-së, Mednuh Thaçi, përmes një letre të hapur u drejtohet përfaqësuesve ndërkombëtar të akredituar në Shkup, si ambasadorit të SHBA-së, BE-s, OSBE-së dhe përfaqësive tjera ndërkombëtare lidhur me zhvillimet më të reja dramatike në Maqedoni. PDSH-ja një kohë të gjatë apelon për një padrejtësi dhe shkelje të rëndë që i bëhet Kushtetutës, sa i përket barazisë së votës për të gjithë qytetarët e Maqedonisë ”
, tha zëdhënësi i PDSH-së, Luan Tresi.

Zhvillimet e këtilla politike ndodhën një ditë para se Kuvendi të mbajë një nga seancat më të rëndësishme kur VMRO-DPMNE tenton që pa praninë e opozitës, të votojë zgjedhjen e kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, si dhe pakon e ligjeve zgjedhore.

Nga opozita maqedonase bënë edhe një herë të ditur se për çdo vendim të njëanshëm dhe pa konsensus që mund të merret, pasojat do t'i bartë vetë Nikolla Gruevski, pasi LSDM-ja, është e vendosur që pa zgjidhjen e kërkesave të parashkruara, të mos marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
XS
SM
MD
LG