Ndërlidhjet

Këshilli i Sigurimit diskuton rezolutën për Libinë



Përkrahësit e zonës së ndalim-fluturimeve mbi Libi janë në garë me kohën për të kërkuar votim në Këshillin e Sigurimit, ndërkohë që trupat e Moamer Gadafit i afrohen bastionit të fundit të kryengritësve.

Mbështetësit kryesorë, Franca dhe Britania, si dhe Shtetet e Bashkuara, po bëjnë presion që votimi të bëhet sot.

Misioni amerikan në OKB tha se votimi mund të bëhet pas disa orësh.

Sekretari i jashtëm britanik Uiliam Hejg tha se draft rezoluta bën thirrje për "të gjitha masat e nevojshme përpos forcës pushtuese" për t'i mbrojtur civilët e kërcënuar nga sulmet.

Po sot, nënsekretari amerikan i Shtetit, Uiliam Burns, i tha Senatit se Uashingtoni i mbështet masat ndërkombëtare në Libi përveç pranisë ushtarake në teren.

Rusia dhe Kina shprehën rezerva për çdo lloj intervenimi ushtarak.

Shefi i NATO-s Anders Fog Rasmusen tha se ai nuk mendon se është vonë për intervenimin në Libi, por shtoi se shumë gjëra varen nga Kombet e Bashkuara.

Aeroplanët e Gadafit e bombarduan sot Bengazin, bastionin e fundit të kryengritësve në lindje të vendit. Tanket gjithashtu janë parë të përparojnë drejt Bengazit.
XS
SM
MD
LG