Ndërlidhjet

Këshilli i Sigurimit miratoi zonën e ndalim fluturimit në Libi



Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka hapur rrugën për intervenim ushtarak nga jashtë në luftën në Libi.

Këshilli e miratoi rezolutën për imponimin e zonës së ndalim fluturimit mbi Libi, hap që synon të kufizojë aftësinë e liderit libian Moamer Gadafi që të ndërmarrë sulme ndaj forcave opozitare.

Rezoluta i mbështet "të gjitha masat e nevojshme" për t'i mbrojtur civilët, por e përjashton mundësinë e dërgimit të trupave të huaja në territorin e Libisë.

Rezoluta 1973 u miratua me 10 vota, ndërsa Rusia, Kina, Brazili, India dhe Gjermani abstenuan. Mbështetësit më të zëshëm të rezolutës ishin Britania, Franca, Libani dhe Shtetet e Bashkuara.

Përfaqësuesi i përhershëm i Mbretërisë së Bashkuar, Mark Lial Grant, tha se Gadafi i ka mospërfillur rezolutën e mëparshme të 26 shkurtit, dhe i bëri thirrje të ndalë sulmet kundër njerëzve të tij.

"Qëllimi qendror i kësaj rezolute është iq artë: t’i japë fund dhunës, të mbrojë civilët, dhe të lejojë njerëzit e Libisë të përcaktojnë vetë të ardhmen e tyre të lirë nga tirania e regjimit të Gadafit”, tha Grant.

Disa diplomatë thanë se megjithëse gjuha e rezolutës ishte e fortë dhe përtej standardeve të Kombeve të Bashkuara, ajo mund të jetë e vonuar.

Suzan Rajs, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, tha se rezoluta e autorizon komitetin e sapoformuar që të vendosë sanksione ndaj atyre që e shkelin embargon e armëve, përfshirë vendet që i japin mercenarë Gadafit.

Kjo rezolutë gjithashtu e forcon embargon e armëve dhe i ndalon të gjitha fluturimet ndërkombëtare të aviokompanisë libiane. Rezoluta i ngrin edhe asetet e shtatë individëve tjerë dhe pesë entiteteve, përfshirë kompanitë kryesore shtetërore të Libisë”, tha Rajs.

Këshilli gjithashtu themeloi një panel ekspertësh për të mbikqyrur zbatimin dhe zgjëruar sanksionet ndaj Libisë.

Pesë vende, përfshirë anëtarët e përhershëm të Këshillit, Kina dhe Rusia, u shprehën dyshuese rreth dispozitës për përdorimin e forcës, por në fund abstenuan dhe nuk e përdorën veton.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitalij Çurkin, tha se Moska nuk pajtohet me formulimin “të gjitha masat e nevojshme”, sepse kjo i vë përgjegjësi të madhe bashkësisë ndërkombëtare që të përmbahet nga përdorimi i forcës së tepruar.

Përgjegjësia për pasojat e pashmangshme humanitare nga përdorimi i tepruar i forcës mund të bjerë mbi supet e atyre që duan t’u rreken veprimeve të tilla. Nëse ndodh kjo, atëherë viktimat nuk do të jenë vetëm civilët në Libi, por edhe interesat për mbrojtjen e paqes dhe stabilitetit në tërë rajonin e Afrikës veriore dhe Lindjen e Mesme”, tha Çurkin.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-mun, e mirëpriti miratimin e rezolutës duke e quajtur “një vendim historik”. Ai tha se pret që anëtarët e Këshillit të reagojnë “menjëherë” konform dispozitave të rezolutës.
XS
SM
MD
LG