Ndërlidhjet

Haxhinasto: Shkëmbimi i territoreve, i dëmshëm


Edmond Haxhinasto
Edmond Haxhinasto
Tezat për bashkime apo shkëmbime territoresh nuk u shërbejnë shqiptarëve, tha të premten në Prishtinë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto. Këto komente, ai i bëri pas takimit me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj. Haxhinasto tha se integrimi i shqiptarëve do të rrjedhë përmes procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.


Integrimi i shqiptarëve në rajon do të bëhet përmes proceseve integruese evropiane, tha të premten në Prishtinë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto.

Këto komente, Haxhinasto i bëri pas takimit që zhvilloi me homologun e tij nga Kosova, ministrin Enver Hoxhaj.

Sipas shefit të diplomacisë shqiptare, tezat e shkëmbimit të territoreve janë të dëmshme për rajonin dhe sidomos për shqiptarët.

Haxhinasto tha se i gjithë rajoni, përfshirë edhe ato vende ku jetojnë shqiptarët, do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe kjo është perspektiva e tyre integruese.
Teza për bashkime, për shkëmbime territoresh janë teza të dëmshme që nuk shërbejnë aspak, e aq më pak u shërbejnë shqiptarëve...


Teza për bashkime, për shkëmbime territoresh janë teza të dëmshme që nuk shërbejnë aspak, e aq më pak u shërbejnë shqiptarëve, të cilët fatmirësisht kanë qenë kohët e fundit në anën e duhur të historisë, kanë përqafuar ato vlera, të cilat qëndrojnë në themel të civilizimit perëndimor, qëndrojnë në themel të organizatave të tilla, siç është Bashkimi Evropian”, tha Haxhinasto.

Lidhur me idetë e integrimit të shqiptarëve, foli edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai tha se me rëndësi është që të ketë një integrim.

“E rëndësishme është që të shkohet drejt bashkimit; se të bashkohemi në Tiranë apo Bruksel, është gati e njëjta gjë”,
tha Krasniqi.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, Haxhinasto premtoi angazhim sidomos në çështjen e shtimit të numrit të njohjeve për Kosovën.

Ministrat Haxhinasto dhe Hoxha thanë se kanë biseduar për bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë e Kosovës në infrastrukturë, energji, turizëm, arsim, kulturë dhe fusha tjera me qëllim që të dyja vendet të japin një shembull të mirë të bashkëpunimi në rajon.

Haxhinasto premtoi angazhim dhe agjendë të përbashkët me Prishtinën edhe në planin diplomatik për shtimin e njohjeve të reja për Kosovën.

Kemi folur sot për një agjendë të përbashkët, për një koordinim më të ngushtë në çështjen e njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës. Mendoj se për atë që kemi rënë dakord, shumë shpejt do të kemi një plan veprimi të përbashkët me qëllim që të rrisim, maksimalizojmë efikasitetin e veprimit tonë për njohje të reja të Kosovës”, theksoi Haxhinasto.

Në emër të Tiranës zyrtare, Haxhinasto i dha mbështetje dialogut të filluar Kosovë - Serbi, duke besuar se bisedimet janë teknike dhe do të sjellin përfitime për të dyja shtetet.

Haxhinasto tha, po ashtu, se Shqipëria e mbështet integrimin e Kosovës në BE dhe përfshirjen e saj në liberalizimin e vizave.
Republika e Shqipërisë, kryeministri, presidenti, zv/kryeministri dhe të gjithë diplomatët që i ka Shqipëria në pjesët tjera të botës ta ndihmojnë edhe më shumë Kosovën në shtimin e numrit të njohjeve...

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se e çmon lart angazhimin e Tiranës në mbështetje të shtetit dhe njohjeve të reja të Kosovës dhe bashkëpunimit që po tregon në përgatitjen e Kosovës për proceset integruese evropiane.

Republika e Shqipërisë, kryeministri, presidenti, zëvendëskryeministri dhe të gjithë diplomatët që i ka Shqipëria në pjesët tjera të botës ta ndihmojnë edhe më shumë Kosovën në shtimin e numrit të njohjeve, ta ndihmojnë edhe më shumë Kosovën në anëtarësimin e saj në institucione politike, financiare të sigurisë dhe kulturës që janë në nivelin global apo botëror”, u shpreh Hoxhaj.

Gjatë kësaj vizite dyditëshe, ministri Edmond Haxhinasto është pritur dhe do të pritet edhe nga udhëheqësit tjerë të institucioneve dhe partive politike.
XS
SM
MD
LG