Ndërlidhjet

Skepticizëm për armëpushimin e Libisë


Regjimi i udhëheqësit libian, Muamer Gadafi, ka deklaruar armëpushim të menjëhreshëm, në kohën kur komuniteti ndërkombëtar po shqyrton mundësitë e zbatimit të rezolutës së OKB-së, e cila mbështet zonën e ndalim fluturimit mbi Libi.

Ministri i Jashtëm, Musa Kousa, tha se Libia, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, do të veprojë në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit.

Njoftimi i Libisë megjithatë është pritur me skepticizëm.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se fjalët nuk janë të mjaftueshme.

“Kemi parë njoftimet e mediave për armëpushim nga Qeveria libiane. Kjo është një situatë fluide dhe dinamike. Ne nuk do të përgjigjemi dhe nuk do të reagojmë në fjalë. Duam të shohim veprime në terren”, tha Klinton.

Në takimin e ambasadorëve të NATO-s në Bruksel u tha se kushtet e nevojshme për aksion ndërkombëtar në Libi janë përmbushur.

Udhëheqësit evropianë, arabë dhe afrikanë do të takojnë të shtunën në Paris shefin e OKB-së, Ban Ki-mun, për të diskutuar veprimet konkrete në mbrojtje të civilëve libianë.

Në fortesën kryesore të opozitës, Bengazi, kryengritësit hodhën poshtë “vendimin e autoriteteve libiane”.

Në qytetin Misrata, autoritetet spitalore thanë së të paktën 25 persona, përfshirë dhe fëmijë, kanë humbur jetën nga bombarditemt.
XS
SM
MD
LG