Ndërlidhjet

Krasniqi: Fletarrestimi për Limajn, shkelje kushtetuese


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e ka quajtur shkelje të Kushtetutës së Kosovës lëshimin e fletarrestimit të EULEX-it për deputetin Fatmir Limaj.

“Sa i përket fletarrestimit të deputetit të Kuvendit të Kosovës, është një shkelje e Kushtetutës. Mendoj se edhe ata që e kanë lëshuar atë, e kanë parë që kanë bërë një gabim dhe ai gabim nuk duhet të përsëritet më”, tha Krasniqi, pas një takimi që pati me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto.

Ndaj deputetit Fatmir Limaj është lëshuar një fletarrestim, ku ai kërkohet për krime lufte, që dyshohet se janë kryer në vitin 1999 në Kleçkë.

Krasniqi tha se mungesa e reagimit të institucioneve deri tash, nuk do të thotë se është edhe mungesë e kryerjes së detyrave.

“Ne nuk kemi dalë në publik për këtë çështje, por detyrat tona institucionale i kemi kryer. Ne mendojmë se është një riciklim i disa ngjarjeve që janë të dhimbshme dhe nuk janë të lehta për asnjë qytetar të Kosovës dhe as për ne. Megjithatë, jemi të bindur dhe kemi besim në procesin e drejtësisë, në sistemin e drejtësisë. Drejtësia do ta thotë fjalën e vet dhe atë në favor të atyre njerëzve, që konsiderojmë se padrejtësisht janë marrë”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se organet e drejtësisë kanë të drejtë të hetojnë secilin zyrtar të institucioneve të Kosovës, por vetëm deri te kjo pikë. Ai tha se kalimi në fazën tjetër, arrestimi apo ndalimi i deputetëve ndalohet për shkak të imunitetit që ata kanë.
XS
SM
MD
LG