Ndërlidhjet

Libia shpall armëpushim

  • RFE /RL

Ministri i Jashtëm i Libisë, Mousa Kousa gjatë konferencës me gazetarë - Tripoli,18 mars 2011

Ministri i Jashtëm i Libisë, Mousa Kousa gjatë konferencës me gazetarë - Tripoli,18 mars 2011

Regjimi i Muamer Gadafit në Libi ka shpallur armëpushim të njëanshëm në luftën e tij kundër kryengritësve, vetëm disa orë pasi në Këshillin e Sigurimit u miratua rezoluta, që i autorizon fuqitë borëtore, që t’i ndalin vrasjet e civilëve një Libi.

Ministri i Jashtëm i Libisë, Mousa Kousa, tha në Tripoli, se Qeveria ka vendosur t’i ndalë të gjitha operacionet ushtarake, për t’i mbrojtur civilët në linjë me rezolutën e OKB-së.

“Libia ka vendosur për një armëpushim të menjëhershëm dhe për ndaljen e të gjitha operacioneve ushtarake”
, tha ministri Kousa.

Ai, po ashtu, e vlerësoi të çuditshme dhe shqetësuese që Kombet e Bashkuara e kanë autorizuar përdorimin e forcës kundër Libisë.

“Libia, po ashtu, konsideron se është shumë e çuditshme dhe e paarsyeshme që Këshilli i Sigurimit të lejojë në rezolutën e tij, përdorimin e forcës ushtarake dhe ka shenja se kjo me të vërtetë mund të ndodhë”
, theksoi Kousa.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, tha se nuk është e qartë nëse shpallja e armëpushimit është në përputhje me aksionet e Tripolit në terren dhe se Uashingtoni dhe aleatët e tij ende po e shqyrtojnë se cilat do të ishin “masat më efektive” për mbylljen e krizës në Libi.

Ajo tha se “rezultati final” i rezolutës së Kombeve të Bashkuara, duhet të jetë largimi i Gadafit.

“Vota e plotë në Këshillin e Sigurimit, mendoj se reflekton kuptimin e gjerë se, së pari, ndale dhunën, së dyti, ne besojmë se rezultati final i çfarëdo negociate do të duhet të jetë vendimi nga kolonel Gadafi që të largohet”
, tha Hillari Klinton.

Franca tha se aksioni ushtarak kundër Libisë do të vijë “brenda orëve”.

Ja se çka i deklaroi zëdhënësi i qeverisë franceze, Fransua Baroin, radios RTL në Paris.

“Sulmet do të bëhen në mënyrë rapide. Nuk mund të themi se kur, si, çfarë caku dhe në çfarë mase. Por, ajo që ndodhi gjatë natës është shkallë shumë e rëndësishme në menaxhimin e kësaj lufte në Libi dhe masakrën e Gadafit ndaj popullit të tij”, tha zëdhënësi Baroin.

Kryeministri britanik, Dejvid Kamerun, i tha Parlamentit se Britania do të dërgojë aeroplanë luftarakë në bazat afër Libisë.

Italia tha se është e gatshme t’i ofrojë bazat e saj ajrore.

Katari, Norvegjia dhe Polonia premtuan të kontribuojnë në përpjekjet shumëkombëshe.

Varshava tha se është e “gatshme të ndihmojë me aeroplanët transportues”.

Njëherësh, Danimarka, tha se do të presë miratimin e Parlamentit para se t’i bashkohet aksionit duke kontribuuar me aeroplanë luftarakë.

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u miratua me dy të tretat e votave të anëtarëve, ndërsa një e treta abstenoi. Miratimi i saj i ka mbyllur tensionet në rritje gjatë javëve të fundit lidhur me çështjen se a do të intervenoj komuniteti ndërkombëtar në krizën e Libisë.

Propozimi për të intervenuar fillimisht ishte kundërshtuar nga Rusia dhe Kina, për shkak të shqetësimeve se mund të çojë në përdorim “të tepruar” të forcës së jashtme ushtarake në Libi. Por, në fund, as Rusia e as Kina, nuk e shfrytëzuan veton për ta bllokuar rezolutën, por iu bashkuan Gjermanisë, Indisë dhe Brazilit, që abstenuan. (f.b.)
XS
SM
MD
LG