Ndërlidhjet

Perëndimi nisi aksionin në Libi

  • RFE /RL

Takimi i përfaqësuesve ndërkombëtarë në Paris, 19 mars 2011.

Takimi i përfaqësuesve ndërkombëtarë në Paris, 19 mars 2011.

Një aeroplan francez ka goditur një automjet të forcave libiane, duke shënuar sulmin e parë të fushatës ajrore mbi Libi.

Zëdhënsi i Ministrisë franceze të Mbrojtjes, Tijeri Berkhard, tha se sulmi është kryer rreth orës 17:45, por nuk dha detaje se për çfarë automjeti bëhet fjalë.

* * *

Takimi i jashtëzakonshëm i vendeve të BE-së, Ligës Arabe dhe Shteteve të Bashkuara në Paris ka përfunduar me njoftimin për ndërhyrje ushtarake në Libi.

Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se SHBA-të dhe vendet e koalicionit janë të gatshme të veprojnë menjëherë për t'i dhënë fund dhunës ndaj civilëve.

"Konsensusi ynë është i fortë dhe vendosmëria jonë është e qartë. Populli i Libisë duhet të mbrohet", tha Obama në Brazil, ku ka filluar turneun në Amerikën Latine.

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, tha se avionët ushtarakë të Francës tashmë fluturojnë mbi hapësirën e Libisë.

Duke folur pas takimit në Paris, Sarkozi tha se komuniteti ndërkombëtar do të ndërhyjë për të ndaluar "çmendurinë vrasëse" të Gadafit.

"Së bashku me partnerët tanë arabë, evropianë dhe të Amerikës së Veriut, Franca ka vendosur të luajë rolin e vet përpara historisë",
deklaroi Sarkozi.

Aeroplanët dhe luftanijet e SHBA-ve janë të gatshme për veprime ushtarake, por nuk marrin pjesë në fushatën fillestare ajrore, të cilën po e udhëheq Franca.

Pjesëmarrjen në operacionet mbi Libi e kanë e konfirmuar edhe Katari, Belgjika, Danimarka, Norvegjia, Holanda e Spanja, ndërkaq Kanadaja ka bërë të ditur se do të dërgojë shtatë aeroplanë luftarakë.

* * *
Bengazi, 19 mars 2011.
Mijëra njerëz janë larguar nga Bengazi, pasi trupat qeveritare sulmuan periferinë perëndimore të qytetit. Një zëdhënës i protestuesve tha se forcat besnike të Muamer Gadafit po sulmojnë me artileri dhe tanke.

Tripoli këmbëngul se ushtarët e tij po veprojnë në vetëmbrojtje nga sulmet e kryengritësve, ndërsa hedh poshtë akuzat për prishje të armëpushimit.

Në mesazhet e lexuara nga zëdhënësi i qeverisë, Musa Ibrahim, udhëheqësi libian, Muamer Gadafi, paralajmëroi komunitetin ndërkombëtar kundër ndërhyrjes.

“Libia nuk është e juaja. Libia është e libianëve. Rezoluta e Këshillit të Sigurimit është e pavlefshme”, tha ai në mesazhin drejtuar liderëve të Francës dhe Britanisë, si dhe kreut të OKB-së.

“Kjo është padrejtësi, është një agresion i qartë dhe është një rrezik i paparashikueshëm për pasojat në Mesdhe dhe Evropë. Ju kurrë nuk keni të drejtë të ndërhyni në punët tona të brendshme. Kush ju jep juve të drejtën për të ndërhyrë në punët tona? Ju do të zhgënjeheni nëse ndërmerrni hapa drejt ndërhyrjes në punët tona të brendshme”, ka thënë Ibrahim.

Mesazhi i Gadafit drejtuar presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, kishte një ton më të butë. Ai thotë se Libia po lufton kundër forcave të Al-Kaidës.

“Çfarë do të bënit ju nëse zbuloni se ata kontrollojnë qytetet amerikane me fuqinë e armëve? Na tregoni se si do të silleshit ju, në mënyrë që ne ta ndjekim shembullin e juaj”, ka përcjellë Ibrahim mesazhin e Gadafit.

Presidenti Obama ka paralajmëruar udhëheqësin libian se do të përballet me ndërhyrje ushtarake nëse nuk vepron në përputhje të plotë me rezolutën e Kombeve të Bashkuara. Obama tha se Gadafi duhet ta respektojë plotësisht armëpushimin e shpallur nga autoritetet.

“Më lejoni të jem i qartë: këto kushte nuk janë të negociueshme. Këto kushte nuk janë subjekt i negociatave. Nëse Gadafi nuk vepron në pajtim me rezolutën, komuniteti ndërkombëtar do të zbatojë masat dhe zgjidhja do të arrihet përmes veprimit ushtarak”, ka thënë Obama.

Por, përfaqësuesit e Kongresit amerikan thanë se presidenti Obama duhet të marrë miratimin e këtij institucioni për operacionet ushtarake.

"Fakti që Shtetet e Bashkuara duan të reagojnë ushtarakisht, nuk paraqet vetëm vendimin e OKB-së. Në Kushtetutë ekziston neni rreth angazhimit të forcave tona të armatosura", tha përfaqësuesi demokrat, Denis Kuciniç.

"Presidenti nuk duhet të lejojë veprimin ushtarak në Libi pa votën e përfaqësuesve të popullit", tha kryetari republikan, Riçard Lugar.

Ky i fundit përkujtoi se ish-presidenti Roland Regan, 25 vjet më parë, ka kërkuar miratimin e Kongresit për bombardimin e Libisë.

Sot në Paris, përfaqësuesit e fuqive botërore diskutojnë mundësitë e ndërhyrjes ushtarake ndërkombëtare në Libi.

Në takim marrin pjesë zyrtarë të Bashkimit Evropian, të Lidhjes Arabe dhe Unionit Afrikan. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, dhe shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, janë gjithashtu të pranishëm. (v.t.)

Lexoni edhe këtë:
Libia shpall armëpushim

XS
SM
MD
LG