Ndërlidhjet

Ramsfeld: Islamistët radikalë duhen ndalur


Donald Ramsfeld
Donald Ramsfeld
Donald RAMSFELD, sekretar i Mbrojtjes në administratën e Bushit

RADIO EVROPA E LIRË
Pas hyrjes së SHBA-ve në Afganistan, Uashingtoni është dashur të bashkëpunojë me ‘zotët’ e ndryshëm të luftës në terren. Ju në librin e juaj i keni përshkruar si karaktere të pakëndshme. A mendoni se integrimi i tyre në strukturat qeveritare ishte gabim nga aspekti i periudhës pas lufte?

DONLAD RAMSFELD
Jo. Nuk mendoj ashtu. Nuk i kam cilësuar të pakëndshëm. Ata janë njerëz që kanë qenë në luftë në një vend të mbyllur, kanë vuajtur nga thatësira, okupimi sovjetik dhe deri te lufta civile që zgjat me vite.

Dikush i cilëson ‘zotër’ të luftës, liderë fisnorë, ndërsa dikush gjeneralë të policisë.

Sido që t’i cilësoni, nuk ka dyshim se ata nuk janë “demokratë Xhefersonianë”. Ata janë njerëz që jetojnë në Afganistan, që bëjnë atë që është e rëndomtë dhe normale në këtë vend. Më e mira që mund ta bëjmë është të bashkëpunojmë me ta.

Ata janë kundër talibanëve, kundër Al Kaidës dhe shi për këtë bashkëpunojmë me ta. Kur them ne, mendoj në CIA-n dhe njësitet speciale të Ministrisë së Mbrojtjes.

Bashkëpunimi i suksesshëm me ta ka bërë që talibanët dhe Al Kaida të largohen nga Afganistani për një kohë të shkurtër.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka shumë kontradikta që lidhen me mossuksesin në kapjen e Osama Bin Ladenit. Në memoaret e juaja keni shkruar se “askush nuk e di me siguri nëse ai ka qëndruar në Tora Bora”, por më vonë keni thënë se “ndoshta në Tora Bora është lëshuar rasti”... Keni thënë gjithashtu se do të dërgonit më shumë trupa nëse gjenerali Tomi Franks do t’i kërkonte...

DONALD RAMSFELD

Nuk ka pasur kërkesa për dërgim të trupave shtesë, as nga zinxhiri i CIA-s dhe as nga zinxhiri i komandës ushtarake. Nuk e di si mundet dikush nga Uashingtoni të gjykojë të kundërtën.

Unë e kam shqyrtuar këtë çështje, por është e qartë se dëshmitë nuk ishin të mjaftueshme për të bindur njerëzit në zinxhirin e CIA-s ose ushtrisë, se u duhej ndihmë shtesë.

Pos kësaj, Tora Bora u ishte ekspozuar bombardimeve të fuqishme gjatë gjithë asaj periudhe.

RADIO EVROPA E LIRË
Kalojmë në Irak, ku u jeni ekspozuar kritikave jo të vogla për faktin që keni mundur të bënit më shumë për të evituar plaçkitjet pas invadimit...
DONALD RAMSFELD
Nuk e di përgjigjen në këtë pyetje. Plaçkitjet ishin problem që komanda qendrore e kishte pritur. Sadam Hyseini kishte lëshuar 100 mijë të arrestuar nga burgjet. Hyseini kishte ftuar për xhihad dhe xhihadistët kishin ardhur nga Irani, Siria dhe disa vende tjera të afërta.

Iraku është një vend shumë i madh, në të cilin njerëzit ishin nën represion. Situatë e njëjtë me plaçkitjet në rrethana të tilla ka ndodhur edhe në Gjermani, nëse i kthehemi të kaluarës.

Çdo herë kur ndërrohet regjimi, në fazën e tranzicionit kjo nuk mund të shmanget. Nuk kam përgjigje nëse plaçkitjet në rrethana të tilla mund të evitohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse tash do të ishit ministër i Mbrojtjes, çfarë do t’i këshillonit presidentit Obama të bënte lidhur me zhvillimet aktuale në Libi?

DONALD RAMSFELD

Mendoj se ministri aktual i Mbrojtjes, Robert Gejts, jep këshilla të drejta. Ekzistojnë të gjitha shkaqet për qëndrim të kujdesshëm. Njerëzit thonë: ‘shkojmë dhe zbatojmë zonën e ndalim fluturimit’, ose ‘zonën e ndalimit të tankeve’, por çështja është shumë më e komplikuar.

Kam lexuar këshillat e sekretarit Gejts dhe në tërësi jam i pajtimit me të.

RADIO EVROPA E LIRË
Jeni kritikuar për faktin që nuk keni pranuar gabimet. Cili mendoni se ka qenë gabimi më i madh që ka pasur pasoja dhe që e keni bërë si sekretar i Mbrojtjes në administratën e Bushit?

DONLAD RAMSFELD
Kjo është një pyetje që të gjithë njerëzit e shtypit duan ta bëjnë. Unë jam përgjigjur qindra herë në këtë pyetje. Edhe në libër kam vënë në pah disa gjëra, për të cilat kam keqardhje ose gjëra që kanë mundur të bëhen ndryshe ose më mirë.

Mendoj se barra më e madhe që e bart me vete, është fakti se lufta është dështim i politikës së jashtme, sepse nënkupton humbje të jetëve, ndërsa çdo jetë është e pakompensueshme.

Kam shpenzuar shumë kohë duke vizituar spitalet në Shtetet e Bashkuara, Irak dhe Afganistan dhe kam takuar ushtarë dhe familjarë të tyre. Gjithnjë kam pyetur veten se si t’ua shpjegoj sakrificën e tyre. Kjo është sakrificë jo vetëm e ushtarëve, por edhe e familjeve.

Çdo herë kam qenë i inspiruar nga fakti që ata (ushtarët) ishin krenarë për atë që kishin bërë, se dëshirojnë të kthehen në njësitet e veta dhe se familjet e tyre i mbështesin në këtë aspekt. Mbi të gjitha, është për keqardhje që kohë pas kohe kemi luftëra dhe ato janë gjëra të llahtarshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju, në një çast, pas rastit Abu Ghraib keni ofruar edhe dorëheqjen...

DONALD RAMSFELD
Dy herë. Dhe kjo ka dëmtuar vendin tonë dhe prestigjin e ushtrisë sonë. Mendoj gjithashtu se nuk kemi pasur sukses në fushën e konkurrencës së ideve tona. Kemi lëshuar rastin që vendit dhe botës t’ia shpjegojmë se islamistët radikalë janë të vendosur që të mësojnë të rinjtë të vrasin njerëz të pafajshëm, burra, gra dhe fëmijë.

Ne duhet t’i bindim njerëzit se kjo nuk është mirë të bëhet, pra nuk është jetë që të vësh eksplozivin në brez dhe të shkosh në treg për të vrarë njerëz të pafajshëm.

Islamistët radikalë mësojnë njerëzit për gjëra të gabuara. Ne duhet të bëjmë krejt ç’është e mundur dhe njerëzore që t’i ndalim dhe gjëra të tilla në botë të ndodhin sa më pak.
XS
SM
MD
LG