Ndërlidhjet

Shkup:Dështoi takimi i liderëve


Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski (Foto arkiv)
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski (Foto arkiv)
Pas dështimit të takimit të mbrëmshëm të liderëve të partive politike në Maqedoni, presidenti Gjorgje Ivanov për nesër ka caktuar një takim të ri me përfaqësuesit e partive më relevante në vend.

Takimi synon harmonizimin e qëndrimeve mes pozitës dhe opozitës lidhur me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në takimin e mbrëmshëm, të thirrrur nga presidenti Ivanov, ishin të pranishëm vetëm parnterët e koalicionit qeverisës, kryeministri Nikolla Gruevski dhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Kreu i opozitës, Branko Cërvenkovski, bojkotoi takimin, pasi në të nuk ishin thirrur asnjë nga përfaqëuesit e partive opozitare shqiptare.

Kështu që formati i propozuar, sipas Cërvenkovskit, nuk ofronte mundësinë e arritjes së kompromiseve të mundshme. Por, presidenti Ivanov tha se refuzimi i ftesës dëmton proceset në vend.

"Në kohë kur kemi paralajmërime për zgjedhje të jashtëzakonshme, kur na presin vendime serioze për zhbllokimin e procesit eurointegrues të vendit, mendoj se është përfundimisht joserioze që të refuzohet ftesa e presidentit të shtetit, i cili niset para së gjithash nga interesat e shtetit dhe interesat e qytetarëve të Maqedonisë", tha presidenti Ivanov.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, njëherësh kryeministër, Nikolla Gruevski, tha se bojkoti nga ana e Cërvenkovskit është edhe një sinjal i qartë se Lidhja Social-Demokrate dëshiron t'i bojkotojë zgjedhjet me çdo çmim.

"Pavarësisht se sa prej kërkesave të tyre do t'i përmbushim, ata janë të vendosur të mos dalin në zgjedhje. Kjo është zgjidhja e Cërvenkovskit, sepse është në pyetje karriera e tij. Ai e di se nëse del në zgjedhje, do të pësojë humbje dhe do të duhet të tërhiqet. Për këtë arsye e mban peng gjithë LSDM-në", deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Gruevski.

Krytari i Bashkimit Demorkatik për Integrim, Ali Ahmeti, shpreson në kapërcimin e dallimeve dhe realizimin e zgjedhjeve, të cilat, sipas tij, nuk janë kërkuar nga partitë në pushtet, por nga opozita.

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka kërkuar zgjedhje të parakohshme. Ne jemi vendosur në situatë të imponuar nga vetë opozita dhe mendoj se opozita duhet të ketë përgjegjësi për këtë situatë që ka ndodhur në Maqedoni”, u shpreh Ahmeti.

Por, partitë opozitare, veprimin e BDI-së e kanë quajtur të dëshmën për shqiptarët.

“E kanë më së lehti të negocojnë me BDI-në dhe realisht është ashtu, pasi që BDI nuk kërkon asnjëherë asgjë në takimet e liderëve”, deklaroi zëdhënësi i Demokracisë së Re, Arianit Hoxha.

Vlerësime të njëjta japin edhe nga Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit. Nga kjo parti madje thonë se nuk marrin pjesë në takim, pasi nuk e njohin Ivanovin për president të shtetit.
XS
SM
MD
LG