Ndërlidhjet

Të ndarë për veriun


Mitrovicë
Mitrovicë
Përfaqësuesit e shqiptarëve në veri të Mitrovicës shfaqin shpresën që, edhe pse është përjashtuar të jetë temë diskutimi e dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës, status quo-ja në atë pjesë të zgjidhet në kuadër të këtij procesi.

Mungesa e komunikimit ndërmjet serbëve e shqiptarëve, pamundësitë për të lëvizur lirshëm në veri dhe vështirësi të tjera që kanë të bëjnë me jetën e përditshme, sipas tyre, e bëjnë të dukshme ndarjen në mes të veriut dhe jugut të qytetit.

Përfaqësuesi i banorëve të Lagjes së Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, Adem Mripa, thekson rëndësinë për një presion më të madh politik ndaj Beogradit, sa i përket zgjidhjes së problemit të veriut të Kosovës.

“Janë ende dallime të mëdha. Unë besoj se me një trysni më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Qeverisë së Beogradit, gradualisht do të vijë deri te ulja e tensioneve”, thotë ai.

Krejt ndryshe e shohin situatën në veri serbët e asaj pjese. Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve vendore e ndërkombëtare, që përmes decentralizimit ta integrojnë veriun, njëri nga përfaqësuesit e serbëve në veri, Marko Jakshiq, vë në pikëpyetje ekzistimin e shtetit kosovar, duke e cilësuar jo vetëm veriun, por tërë vendin si pjesë të Serbisë.

Mendoj se serbët e Kosovës konsiderojnë që e gjithë Kosova, pra edhe veriu i saj, është pjesë e shtetit të Serbisë. Pse do të pranonin ata një shtet tjetër ose të huaj, kur e kanë shtetin e tyre? Serbët e veriut të Kosovës e kanë të mbjellur fuqimisht ndjenjën nacionale. Unë nuk besoj që ata do të pranojnë, le t’i quajmë, gënjeshtrat me ngjyra, ose se do të pranojnë të heqin dorë nga shteti i tyre, e ky është Beogradi”, thotë Jakshiq.

Zgjidhja e situatës në pjesën veriore, e cila që nga paslufta vazhdon të mbetet jashtë funksionimit të institucioneve kosovare, deri më tani është synuar të bëhet përmes shumë strategjive zyrtare për integrim.

Organizata të ndryshme ndërkombëtare kanë dhënë po ashtu një varg idesh për mënyrat e zgjidhjes së këtij problemi. Edhe pse ka tre vjet që Kosova funksionon si shtet i bazuar në planin e Ahtisarit, për Marko Jakshiqin Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara ende është dokument i vlefshëm.

“Tash, kur bëhet fjalë për të ashtuquajturin veri të Kosovës, mendoj që edhe kjo është temë e imponuar, duke pasur parasysh që çështja e Kosovës duhet zgjidhur në tërësi e pandarë. Nga ana tjetër, Beogradi duhet të luftojë për hapësirën e vet. Duhet të luftojë mbi bazën e Rezolutës 12 44. Në bazë të kësaj rezolute, askund nuk figuron as veriu i Kosovës, as statusi special, as Ahtisari plus, e as Plani i Ahtisarit”, thotë Jakshiq.

Por, Mripa thotë se në mesin e serbëve në veri ka tashmë të tillë që kanë filluar ta pranojnë shtetësinë e Kosovës e që do të ishin të gatshëm për integrimin e qytetit. Qëndrimet kundërshtuese ndaj këtij procesi, sipas tij, vijnë nga një grup i serbëve radikalë.

“Unë jam më se i bindur se të gjitha këto është duke i bërë një grup shumë i vogël, i ashtuquajturi ‘Grupi i Spitalit’. Grupe ekstreme, që bëjnë presion në popullatën serbe”, thekson Mripa.
XS
SM
MD
LG