Ndërlidhjet

Libi: Sulme të koalicionit kundër mbrojtjes së Gadafit


Koalicioni shumëkombësh, edhe natën e dytë, ka ndërmarrë sulme kundër caqeve në Libi, që synojnë krijimin e zonës së ndalim-fluturimit, që do t’i parandaloj sulmet e forcave të Muamer Gadafit, kundër mbështetësve të opozitës, që kërkojnë përfundimin e sundimit të Gadafit.

Shtetet e Bashkuara, që po ndërmarrin sulme ajrore në koalicion me Britaninë, Francën, Italinë, Kanadanë dhe vendet e tjera, thanë se fushata ajrore po funksionon dhe se tash efektivisht është vendosur zona e ndalim-fluturimit mbi territorin e këtij vendit të Afrikës Veriore.

Shtetet e Bashkuara, poashtu, e kanë hedhur poshtë armëpushimnin e deklaruar nga regjimi i Gadafit, duke thënë se armëpushimi i dyshuar është shkelur nga trupat e Gadafit, menjëherë pasi ishte shpallur.

Eksplodimet e kanë kapluar kryeqytetin Tripoli të dielën, ndërsa zyrtarët e regjimit të Gadafit thanë se ndërtesa e tij personale ishte goditur dhe dëmtuar rëndë nga një sulm i qartë ajror.

Nuk dihet se ku ishte Gadafit, në momentin e sulmit të raportuar.

Admirali Uilliem Gortni, nga Shtatmadhoria amerikane, i ka hedhur poshtë pohimet se koalicioni e kishte marrë në cak Muamer Gadafin.

Ai tha se forcat aleate ishin të fokusuara vetëm në zbatimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që kërkon krijimin e zonës së ndalim-fluturimit dhe mbrojtjen e popullit të Libisë.

“Ne vlerësojmë se këto sulme ishin shumë efektive, duke e degraduar në mënyrë domethënëse aftësinë për mbrojtje ajrore të regjimit, përfshirë edhe aftësinë e tyre për lansimin e raketave të tyre me rreze të gjatë veprimi tokë – ajër”, tha admirali Gornti.

Pos sulmeve kundër kapaciteteve të mbrojtjes ajrore, raportohet se Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara, kanë goditur tanke dhe makina të tjera të armatës së Gadafit, në jug të qytetit Bengazi, që mbahet nga kryengritësit.
XS
SM
MD
LG