Ndërlidhjet

Japoni: Konfirmohet vdekja e 8600 njerëzve nga tërmeti


Përfaqësuesi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, ANEB, Endrju Graham, tha se situata vazhdon të mbetet e rrezikshme.

"Në Fukushima Daiçi po vazhdojnë ca përmirësime, por situata e përgjithshme mbetet shumë serioze. Nivele të larta të ndotjes janë regjistruar në lokacionin e centralit",
tha Graham.

Gjatë ditës tymi dhe avulli përsëri kishin dalë nga reaktorët e dëmtuar nga tërmeti dhe cunami në centralin bërthamor Fukushima në Japoni.

Teksa situata në reaktor mbetet shumë serioze, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Jukia Amano, tha se ai "nuk ka dyshime se kriza do të kapërcehet"

Amano megjithatë shtoi se duhet të rishqyrtohet roli i agjencisë në sigurinë bërthamore.

Punonjësit në Fukushima po përpiqen të ftohin reaktorët për të shmangur rrezatimin e lartë, ndërsa inxhinierët arritën t'i lidhin kabllot e energjisë elektrike te reaktorët.

Agjencia Kombëtare e Policisë në Japoni thotë se ka shqetësime se numri i të vdekurve nga tërmeti dhe cunami mund ta kalojë shifrën prej 18 mijë njerëzve.

Autoritetet japoneze konfirmojnë se mbi 8,900 njerëz kanë vdekur nga tërmeti dhe cunami i 11 marsit. Ndërsa, rreth 12,600 rezultojnë të zhdukur.

Banka Botërore tha se rindërtimi në Japoni, pas tërmetit katastrofal, cunamit dhe krizës bërthamore, mund të kushtojë më tepër se 235 miliardë dollarë dhe do të duhet një periudhë prej pesë vitesh.

Në raportin e publikuar të martën, Banka Botërore tha se shkatërrimet, që ndodhën më 11 mars, kanë shkaktuar dëme “të paprecedente” në ndërtimtari dhe infrastrukturë.

Në raport thuhet se rritja ekonomike me gjasë do të ulet në gjysmën e parë të këtij viti, por rritja do të shtohet derisa rikonstruktimi të përshpejtohet në tremujorët pasues.

Rrezatimi në ushqime, i shkaktuar nga goditja e tërmetit dhe cunamit në stacionin bërthamor të Fukushimës në Japoni, është më serioz se sa u vlerësua fillimisht. Lajmi u bë i ditur nga Organizata Botërore e Sëndetësisë.

Aktualisht inxhinierët kanë arritur të rregullojnë gjatë ditës të gjitha kabllot e gjashtë reaktorëve në Fukushima.

Burimet zyrtare japoneze thanë se numri i të vdekurve nga cunami dhe tërmeti do të mund ta kalojë shifrën prej 18 mijë vetësh. (f.b.)
XS
SM
MD
LG