Ndërlidhjet

LDK nuk e mbështet AAK-në për lëndën e dytë ndaj Pacollit



Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e partive të tjera opozitare për ngritjen e një lënde të re në Gjykatën Kushtetuese ndaj presidentit Behxhet Pacolli. Bëhet fjalë për votën që Pacolli i ka dhënë qeverisë së re të Kosovës pasi që ishte zgjedhur në postin e presidentit. Ky veprim, sipas AAK-së paraqet shkelje kushtetuese pasi që presidentit nuk i lejohet të ushtrojë poste të dyfishta publike. Mirëpo për të ngritur këtë padi në Gjykatën Kushtetuese, AAK-së i duhen 30 nënshkrime të deputetëve.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini thotë se nisma e Aleancës nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme, përderisa të martën më 22 mars është afati i fundit për dorëzimin e lëndës në Gjykatë.

“Ka mendime të ndryshme, tek partitë e ndryshme lidhur me atë se a duhet të procedohet një kërkesë e tillë apo jo. Aleanca ka provuar, por deri më tani nuk kemi arritë që të kemi dakordim”, thotë Gjini.

Pritjet e AAK-së kanë qenë të orientuara kryesisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës nga e cila ka kërkuar mbështetje dhe nënshkrimet e deputetëve të saj.
Mirëpo anëtari i Kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala thotë se LDK-ja pret fillimisht nga Gjykata Kushtetuese interpretimin në lidhje me zgjedhjen e Pacollit në postin e presidentit.

“Ne kemi dërguar tashmë një kërkesë, lëndë në Gjykatën Kushtetuese dhe interpretimin që e presim do të sqaroj diçka; a është shkelë kushtetutshmëria ose jo. Nëse është shkelë kushtetutshmëria i bie që Kosova nuk ka president”, thekson Shala.

Sipas tij, përderisa të mos dihet se a ka apo jo vendi një president të zgjedhur në mënyrë kushtetuese nuk mund të kërkohet interpretimi nëse presidenti ka shkelur kushtetutën.

LDK-ja e mbështetur nga AAK-ja, me 34 nënshkrime të deputetëve ka proceduar tek Gjykata Kushtetuese kërkesën me anë të cilës kanë kërkuar interpretimin në lidhje procedurat e zgjedhjes së Pacollit në postin e presidentit. Deri më tani Gjykata Kushtetuese nuk ka kumtuar të ketë marrë ndonjë vendim.
XS
SM
MD
LG