Ndërlidhjet

Dialogu - fillimisht suksese teknike


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Njohësit kosovarë e serbë të rrethanave politike, vlerësojnë se synimi kryesor i fazës së parë të dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit, do të jetë arritja e sukseseve, siç i quajnë ata, të vogla, për çështje teknike për të vazhduar eventualisht më vonë me çështje politike. Njohja reciproke ndërmjet Kosovës e Serbisë, sipas tyre, megjithatë do të jetë parakusht për hyrjen e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.


Pala kosovare dhe ajo serbe duhet t’i përmbahen ritmit të vënë nga Bashkimi Evropian në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, meqë kjo e fundit nuk është e interesuar të dështojë në fazën e parë të këtij procesi, thonë analistët politikë në Kosovë e Serbi.

Ata nuk përjashtojnë mundësinë që me kalimin e kohës, dialogu i ashtuquajtur teknik të marrë kah politik, por thonë se në fazën e parë të këtij procesi vëmendje e shtuar do t’u kushtohet sukseseve të vogla me qëllim të përmirësimit dhe relaksimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Drejtori i Qendrës për Politika të Reja në Beograd, Vladimir Todoriq, thotë se me avancimin e procesit, mund të rriten gjasat që Beogradi ta marrë statusin e vendit kandidat për BE deri në fund të këtij viti, ndërsa Kosova të shpresojë për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.

Megjithatë, sipas Todoriqit, ende është herët të flitet për përfitime të tilla eventuale.

“Detyra kryesore për Borko Stefanoviqin dhe Edita Tahirin do të jetë që të mënjanojnë çfarëdo lloj përgjegjësie për dështimin e dialogut. Ata do të duhet ta mbajnë ritmin, të cilin do ta caktojë zoti Kuper. Por, edhe zoti Kuper do të jetë shumë i kujdesshëm për të mos caktuar tema, të cilat nuk do të arrinin efektin e dëshirueshëm”
, shprehet Todoriq.

Në takimet e para të zhvilluara më 8 dhe 9 mars në Bruksel, përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit biseduan për regjistrin civil, kthimin e dokumenteve kadastrale, çështjen e CEFTA-s dhe vulat doganore, ndërsa në qendër të diskutimit të takimeve të radhës, që pritet të mbahen më 25 dhe 26 mars, thuhet se do të jenë telekomunikacioni dhe energjia elektrike.

Edhe pse nga palët e përfshira është cilësuar si proces tërësisht teknik, zyrtarët serbë kanë ritheksuar kërkesën që statusi i Kosovës të jetë një nga temat e diskutimit në kuadër të dialogut, ndërsa autoritetet kosovare kanë shprehur bindjen që ky proces të përfundojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

Mirëpo, për të arritur deri në atë fazë, sipas hulumtuesit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, Naim Rashiti, do të duhen vite.

“Ky proces, i cili ka filluar tani, mund të dërgojë deri atje, por jemi shumë larg-jemi me vite larg. Prandaj, le t’i jepet kohë ndërtimit të besimit në mes të dy vendeve duke përdorur mekanizma të fuqishëm të BE-së ose perspektivën e BE-së, që kryesisht ka të bëjë me avancimin ekonomik e politik të shteteve, por në relacion me Serbinë e Kosovën ka të bëjë me ndërtimin e një fqinjësie të mirë e të barabartë”
, thotë Rashiti.

Ai thekson se pa njohje reciproke, as Serbia, e as Kosova nuk do të mund të hyjnë në BE.

Kushtëzimi i anëtarësimit të shtetit serb në BE me njohjen e Kosovës nga Beogradi, sipas Todoriqit, një herë për një herë nuk do të jetë në agjendën e diplomacisë evropiane.

“Bashkimi Evropian nuk do ta shtyjë Beogradin që ta njohë Kosovën dhe kjo as që është e mundshme nëse merren parasysh zgjedhjet e ardhshme në Serbi. Por, ajo që BE-ja do t’i kërkojë Serbisë, është që të mos i vë më Kosovës pengesa kur bëhet fjalë për përfshirjen e Kosovës në institucione ndërkombëtare dhe të tjera”.

“Do të jetë shumë interesante të shihet nëse Beogradi do të jetë i gatshëm ta pranojë këtë, duke marrë parasysh që kjo ishte mënyra e vetme, përmes së cilës Beogradi synonte ta ndalte njohjen e tërësishme të pavarësisë së Kosovës”
, thekson Todoriq.
XS
SM
MD
LG