Ndërlidhjet

Serbët, për dhe kundër regjistrimit


Graçanicë (Foto nga arkivi)

Graçanicë (Foto nga arkivi)

Liderët politikë të serbëve të Kosovës shprehin mendime dhe qasje të ndryshme lidhur me pjesëmarrjen e serbëve në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare. Bojan Stojanoviq, kryetar i komunës së Graçanicës, thotë se serbët duhet të marrin pjesë në këtë proces, por ai kritikon fushatën për sensibilizimin e kësaj çështjeje. Branko Niniq, udhëheqës i komunitetit serb në Leposaviq, thotë se pjesëmarrja e serbëve në këtë proces varet nga qëndrimi zyrtar i Beogradit. Ndërkaq, Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në ministrinë për Kosovën në Qeverinë serbe, thotë se Beogradi ende nuk ka qëndrim zyrtar, por ai shpreh mendimin personal kundër procesit.


Procesi i regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare në Kosovë, proces ky që do të fillojë më 1 prill dhe do të zgjasë dy javë, pritet të përfshijë edhe qytetarët serbë që jetojnë në vend.

Por, ata shprehin mendime të ndryshme lidhur me organizimin dhe pjesëmarrjen e tyre në këtë proces.

Bojan Stojanoviq, kryetar i komunës së Graçanicës, thotë se institucionet e kësaj komune do të marrin pjesë në projektin e regjistrimit dhe do t’ju ofrojnë qytetarëve mundësinë për t’u regjistruar.

“Mençuria, qetësia dhe vendosmëria janë ato që duhet të na karakterizojnë, për të arritur një konsensus për të gjitha çështjet e rëndësishme. Nëse ballafaqohemi me realitetin, gjithsesi që duhet të marrim pjesë në një proces, për të cilin unë konsideroj se mund të ndodhë”
, thotë Stojanoviq.

Ai shton se kërkohet një angazhim më i madh i vetë institucioneve të Kosovës që në procesin e regjistrimit të përfshihet popullata serbe.

Por, në veriun e Kosovës, pjesëmarrja e serbëve në procesin e regjistrimit, nga politikanët serbë nuk pritet se mund të jetë e realizueshme.

Branko Niniq, udhëheqës i komunitetit serb në Leposaviq, thotë se pjesëmarrja ose jo e serbëve në këtë proces, do të varet nga qëndrimi zyrtar i Beogradit lidhur me këtë çështje.

“Ne i dëgjojmë qëndrimet e shtetit tonë, të Serbisë, dhe në atë mënyrë edhe do të veprojmë. Nëse shteti serb thotë se duhet të marrim pjesë në regjistrim dhe nëse atë e organizojnë Kombet e Bashkuara përmes institucioneve të saj, atëherë do të marrim pjesë. Por, nëse e organizojnë institucionet nga Prishtina, me siguri se serbët nga Leposaviqi, e përgjithësisht në veri, nuk do t’i pranojnë”
, shprehet Niniq.

Në anën tjetër, Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në ministrinë për Kosovën në Qeverinë serbe, thotë se Beogradi zyrtar ende nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar lidhur me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në procesin e regjistrimit. Por, ai shpreh mendimin e tij se serbët nuk duhet të marrin pjesë në këtë proces.

“Në këtë moment unë po e them vetëm mendimin tim personal se serbët nuk duhet të marrin pjesë në këtë regjistrim, për arsye të shumta. Arsyeja kryesore është se ne nuk mund të besojmë në vërtetësinë e këtij regjistrimi. Fillimisht, këtë po e bëjnë shqiptarët pa ndikimin e institucioneve tona, të cilat do ta ofronin atë besueshmëri. Thjesht, ekzistojnë dyshimet se mund të ketë manipulime”
, thekson Ivanoviq, duke shtuar se Serbia do të organizojë regjistrimin në tetor dhe me këtë rast do të krijohej dualizëm i informatave.

Ndryshe, të gjithë këta politikanë serbë, vlerësojnë se qëndrimet e ndryshme të tyre për pjesëmarrjen e bashkësisë serbe në procesin e regjistrimit, rrezikojnë të krijojnë konfuzion te vetë serbët lidhur me këtë proces.

Por, kryetari i komunës së Graçanicës, Stojanoviq, shpreh mendimin se më shqetësuese është, sipas tij, mënyra se si po udhëhiqet fushata për realizimin e procesit të regjistrimit.

Stojanoviq vlerëson se suksesi i këtij procesi nuk është i sigurt.

“Fushata, e cila po bëhet për regjistrimin, tashmë është absolutisht e pasuksesshme. Njerëzit nuk janë të njoftuar lidhur me atë se çka duhet të paraqesë ky regjistrim, si dhe cilat janë të drejtat dhe obligimet e tyre”
, vlerësoi Stojanoviq.

Sidoqoftë, ai thekson se mjaft çështje, që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e serbëve në procesin e regjistrimit, kërkojnë qasje serioze të institucioneve, të cilat edhe i organizojnë ato.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG