Ndërlidhjet

Pacolli kërkon njehsimin e legjislacionit dhe tregut me Shqipërinë



“Duhet unifikimi i legjislacionit, komunikacionit, dhe dokumentacionit gjyqësor dhe të bizneseve. Lëvizje e lirë edhe të ideve, diturisë dhe kapitalit. Standardizimi i dijes, teksteve të reja shkollore dhe gjuha akademike. Duhet të filojme punën me energji pozitive. Askush nuk e fsheh idenë e një bashkimi, por duhet te ndjekim aspiratat tona brënda bashkesisë Europiane”, deklaroi presidenti i Kosovës gjatë fjalimit në Kuvendin e Shqipërisë.

Pacolli tha se puna për këto çështje duhet të fillojë menjëherë pasi të dyja vendet janë me vonesë në këtë drejtim.

Konkretisht për projektet e përbashkëta Kosovë-Shqipëri Pacolli folli me kryeministrin shqiptar Sali Berisha. Pacolli e Berisha folën për ndërtimin e disa projekteve të infrastrukturës si dhe për fillimin e punimeve brenda të këtij viti të linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt Tiranë - Prishtinë.

Takimin e parë Pacolli e ka zhvilluar paraditen e sotme me homologun e tij Bamir Topi. Pacolli-topi dhanë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

“Jam i lumtur që ndodhem në Shqipëri, tek shteti amë, tek shteti mik, tek shteti vëlla, dhe kjo është një frymëzim i madh për mandatin tim” tha Pacolli.

Dialogu që sapo ka nisur mes Prishtinës dhe Beogradit është cilësuar si shumë i rëndësishëm nga kreu i shtetit të Kosovës. Pacolli ka nënvizuar se Kosova duhet të punojë për të ardhmen e saj dhe për përmirësimin e imazhit.

Homologu i tij Topi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit për shtimin e njohjeve për Kosovën. Topi ka kërkuar që Kosova të përfitojë sa më shpejt lirinë e lëvizjes, pasi nuk mund të mbetet e izoluar.
XS
SM
MD
LG