Ndërlidhjet

Bazat ligjore për heqjen e imunitetit


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përjashton çdo mundësi që deputetit Fatmir Limaj t’i hiqet imuniteti për shkak të hetimeve që EULEX-i po kryen ndaj tij. Duke iu referuar këtij rasti, Krasniqi thotë se Kushtetuta e parasheh heqjen e imunitetit vetëm pasi gjykata të marrë vendim përfundimtar.


Heqja e imunitetit të deputetit Fatmir Limaj nuk është e nevojshme për vazhdimin e hetimeve ndaj tij, thonë deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Duke u thirrur në Kushtetutë, ata vlerësojnë se organet e drejtësisë mund ta kryejnë punën e vet, përfshirë edhe hetimet dhe gjykimin, pa pasur nevojë që deputetit, në këtë rast Fatmir Limajt, t’i hiqet imuniteti.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, thotë se Kushtetuta e Kosovës kërkon heqjen e imunitetit për deputetin vetëm në rastet kur ai hetohet për ndonjë vepër që ka kryer gjatë mandatit aktual dhe jo për një vepër që nuk ka të bëjë me mandatin e tij si deputet.

“Kushtetuta jonë lejon vazhdimin dhe përfundimin e çdo procedure penale për veprat që nuk janë kryer brendapërbrenda fushë-veprimtarisë së deputetit. Prandaj, gjykata në këtë rast mund t’i kryejë të gjitha procedurat deri në shkallën e dytë të vendimit ose përfundimtare”.

“Vetëm atëherë, pasi që gjykata të marrë vendimin përfundimtar, mund të bëhet kërkesa për heqjen e imunitetit deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”,
thotë Krasniqi.
Fatmir Limaj

I gjithë procesi i hetimeve dhe gjykimit eventual ndaj deputetit Limaj, sipas Krasniqit, mund të vazhdojë, siç mund të vazhdojë Limaj punën e tij si deputet, në anën tjetër, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës. Deri atëherë, Krasniqi thotë se deputeti nuk mund të arrestohet.

“Neni 75, paragrafi 2 e thotë qartë se deputeti i Kuvendit të Kosovës, as nuk mund të arrestohet dhe as nuk mund të ndalohet. Kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutë dhe me ligj. Andaj ne kërkojmë nga ata që e thonë se askush s’mund të jetë mbi ligjin, atëherë le të mbetet ashtu dhe ligji e ka përcaktuar shumë qartë këtë çështje
”, shpjegon Krasniqi.

Për respektimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë shprehet edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së thotë se përshëndet gatishmërinë e deputetit Limaj që të bashkëpunojë me organet e drejtësisë, ndërkaq bën thirrje që organet kompetente të përqendrohen më shumë në aspektet e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit, si dy shqetësime më të mëdha për shoqërinë kosovare.

“Ne mendojmë se politika, politikë-bërja, por edhe sundimi i ligjit duhet të ketë të bëjë edhe me vendosjen e prioriteteve. Për mirëqenien e njerëzve të Kosovës, sot prioritet duhet të jetë luftimi i krimit. Kjo në asnjë rast s’do të thotë se nuk duhet të luftohen krimet kurdo që ato të kenë ndodhur, por mendojmë që prioritet për Kosovën janë krimet që po bëhen sot dhe ato po ia shkatërrojnë jetën qytetarit të Kosovës”,
thekson Gjini.

Ndaj deputetit Fatmir Limaj, EULEX-i ka lëshuar një fletarrestim. Ai po hetohet nën dyshimet për krime lufte, që thuhet të jenë kryer në vitin 1999, në Kleçkë.

Në Kosovë, tashmë ka praktika të hetimit të deputetëve, të cilët dhe kanë dalë para drejtësisë për dyshime të ngjashme, siç ishte rasti me deputetin Rrustem Mustafa.

Edhe në atë rast, deputeti Mustafa pati kryer punën e vet si deputet, ndërkaq drejtësia kishte vazhduar punën e vet deri në vendimin përfundimtar, pa pasur nevojë heqjen e imunitetit.
XS
SM
MD
LG