Ndërlidhjet

Putini arrin marrëveshje me Slloveninë



Kryeministri rus Vladimir Putin ka nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme në fushën e energjisë pas takimit që pati me presidentin dhe kryeministrin e Sllovenisë, Danilo Turk dhe Borut Pahor.

Në qendër të vizitës së Putinit në Lubjanë është pjesëmarrja e Sllovenisë në ndërtimin e gazsjellësit “Rryma e Jugut”, e cila do të sjellë gazin rus drejt Evropës Perëndimore përmes Ballkanit.

Ndonëse shumë nga detajet e projektit nuk janë të përmbyllura marrëveshja e arritur sot parasheh krijimin e një kompanie të përbashkët për ndërtimin dhe menaxhimin e pjesës sllovene të gazsjellësit.

“Sllovenia do të kthehet në një nga vendet kryesore tranzite në Ballkan kur të nisë funksionimi i Rrymës së Jugut”, tha Igor Shegolev, ministri rus i Komunikimit.

Gazpromi rus dhe kompania italiane ENI ranë dakord në vitin 2007 të ndërtojnë linjën e re të transportit të gazit, e cila do të jetë 3600km e gjatë dhe do të kalojë nën shtratin e Detit të Zi, përmes Turqisë, Serbisë, Italisë dhe Austrisë.

Rusia synon që përmes këtij projekti të shmang Ukrainën si vend tranzit të gazit rus pas konflikteve të krijuara gjatë viteve të fundit mes Kjevit e Moskës.

Mosmarrëveshjet kanë çuar deri në ndërprerjen e furnizimit të Evropës perëndimore.
“Rryma e Jugut” shihet edhe si projekt rival i Nabukos, gazsjellësit që synon ta ndërtojë BE-ja duke shmangur Rusinë.

Nesër Putini udhëton drejt Beogradit për të diskutuar pjesën e projektit që kalon përmes Serbisë.
XS
SM
MD
LG