Ndërlidhjet

NATO: Forcohet zona e ndalim-fluturimit në Libi


Forcat e koalicionit kanë ndërmarrë sulme ajrore në Libi, duke i marrë në shënjestër mbrojtjen ajrore dhe trupat tokësore të sunduesit të Libisë, Muamer Gadafi.

Poashtu, janë marrë në shënjestër edhe bazat e tij detare dhe aeroportet.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, tha se 28 anëtarët e aleancës, mbrëmë janë pajtuar për ta forcuar embargon e armatimit ndaj Libisë.

Zoti Rasmusen tha se NATO-ja i ka kompletuar planet për të ndihmuar në forcimin e zonës së ndalim fluturimit, e cila është mandatuar nga OKB-ja.

Shtëpia e Bardhë tha se Franca, Britania dhe Shtetet e Bashkuara, janë pajtuar që NATO-ja duhet të luaj “rol kryesor” në strukturën e komandimit të operacioneve ushtarake të aleatëve në Libi.

Nga ana tjetër, Muamer Gadafi, gjatë një paraqitjeje në televizion, ka premtuar vazhdimin e luftimit dhe duke iu drejtuar koalicionit tha se “ne do t’i mposhtim ata me të gjitha mjetet”.

Është raportuar për përleshje ndërmjet lojalistëve të Gadafit dhe mbështetësve të opozitës në qytetet Misrata dhe Tintan, që mbahet nga kryengritësit, dhe në qytetitin Yafran, në jugperëndim të kryeqytetit Tripoli.
XS
SM
MD
LG