Ndërlidhjet

Obama: Aleatët të udhëheqin operacionet

  • RFE /RL

Ekipet e Forcës Amerikane Ajrore

Ekipet e Forcës Amerikane Ajrore

Presidenti amerikan Barak Obama thotë se komanda e koalicionit, që po ndërmerr sulme ajrore kundër forcave të sunduesit të Libisë, Muamer Gadafi, do t'i dorëzohet aleatëve të Uashingtonit, gjatë disa ditëve të ardhshme.

Këto komente zoti Obama i bëri pasi ai, presidenti francez, Nikolas Sarkozi, dhe kryeministri britanik, Dejvid Kameron, u pajtuan se NATO-ja duhet të luajë rol kryesor në strukturën komanduese të përpjekjeve për ta forcuar zonën e ndalim-fluturimeve mbi Libinë dhe për t’i mbrojtur civilët në këtë vend, nga forcat e Gadafit.

“Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim përpjekjet për mbrojtjen e popullit të Libisë, por ne nuk do të udhëheqim. Kjo ka të bëjë me tranzicionin, për të cilin kam diskutuar”, tha Barak Obama.

Por, disa vende, anëtare të NATO-s, kanë shprehur rezerva lidhur me marrjen e rolit udhëheqës nga aleanca.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, tha se të 28 vendet anëtare të NATO-s i kanë kompletuar planet për të ndihmuar në zbatimin e zonës së ndalim-fluturimit, që është e mandatuar nga Kombet e Bashkuara, “nëse është e nevojshme”.

Anders Fog Rasmusen
Ai ka theksuar se NATO-ja, mbrëmë është pajtuar për forcimin e embargos së armatimit ndaj Libisë.

“NATO tash ka vendosur të lansojë një operacion për zbatimin e embargos së armatimit kundër Libisë".

"Të gjithë aleatët janë të përkushtuar për t’i përmbushur përgjegjësitë e tyre sipas rezolutës së Kombeve të Bashkuara, për ta ndalur dhunën e patolerueshme kundër civilëve libianë”,
tha Anders Fog Rasmusen.




Ministri i jashtëm i Francës, Alen Zhype, thotë se Franca dhe Britania, janë pajtuar që së bashku ta formojnë një “organ drejtues politik” të ministrave të jashtëm, nga vendet që po marrin pjesë në koalicion dhe nga Liga Arabe.



Korrespondentët në kryeqytetin e Libisë, Tripoli, raportojnë se eksplodimet e kanë dridhur këtë qytet sot herët në mëngjes,në ditën e pestë të sulmeve ajrore.

Këto sulme u bënë pas një fjalimi të ashpër të Muamer Gadafit, në televizionin shtetëror, në të cilin ai u bëri thirrje shteteve të tjera myslimane që, siç u shpreh ai, “të marrin pjesë në luftën kundër kryqëzatave”.

Nga ana tjetër, është raportuar edhe për përleshje ndërmjet lojalistëve të Gadafit dhe mbështetësve të opozitës në qytetet Misrata dhe Tintan, që mbahen nga kryengritësit, dhe në qytetitin Yafran, në jugperëndim të kryeqytetit Tripoli. (f.b.)
XS
SM
MD
LG