Ndërlidhjet

Tuberkulozi në Kosovë ka qenë një problem i madh shëndetësor dhe social, që në vitet e fundit ka shënuar rënie, por ende paraqet kërcënim për popullatën, thotë Behxhet Osmani, pulmolog.

Sipas Osmanit, në vitet paraprake, vetëm gjatë një viti janë prekur rreth 1700 persona nga tuberkulozi, derisa në dy vitet e fundit ka rënë numri i të prekurve nga kjo sëmundje në 900 persona.

"Ne për 10 vjet e kemi ulur incidencën në më shumë se 50 për qind dhe mendojmë se në dhjetë vjetët e ardhshëm të bie incidenca nga 40 në 20 për qind në 100 mijë banorë. Tuberkulozi në Kosovë është ende prezent si sëmundje ngjitëse".

"Por, jo vetëm në Kosovë, mirëpo edhe në Evropë dhe më gjerë. Në Kosovë, për fat të mirë, duke ju falënderuar edhe mjekëve, tuberkulozi është në rënie e sipër”
, bën të ditur Osmani.

Në Klinikën e mushkërive tash për tash janë të shtrirë gjithsej 20 pacientë, aq sa ka edhe shtretër, derisa kërkesat janë më të mëdha, thonë zyrtarët shëndetësorë.

Zoti Osmani thotë se Kosova ka rreth 55 mjekë specialistë për sëmundje të mushkërive dhe tuberkuloz, gjë që mund të konsiderohet se ka kapacitet të mjaftueshëm për të mbuluar territorin e Kosovës.

Derisa kjo sëmundje para dhjetë vjetësh ka prekur moshën 14 deri 40 vjeç, sipas Osmanit, tash tuberkulozi paraqitet te personat me moshë mbi 65 vjeç, sikurse në vendet e zhvilluara evropiane.

Projekti i Fondit Global në Kosovë paraqet mbështetjen kryesore në luftën kundër tuberkulozit.

Bahri Tigani, menaxher i projektit të Fondit Global, komponenti i tuberkulozit, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky fond ka dhënë kontribut të posaçëm, i cili ka filluar të implementohet në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë që nga viti 2005.

”Jemi në përfundim të projektit të parë 5-vjeçar që ka dhënë një kontribut shumë të madh në luftimin e kësaj sëmundjeje. Shuma ka qenë 4 milionë dollarë dhe janë të përfshira shumë aktivitete, gjë që ka ndikuar në rënien e kësaj sëmundjeje, duke u nisur nga sigurimi i barnave e deri tek aparatura e duhur”, thotë Tigani.

Gjatë 15 vjetëve të fundit, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka qenë e fokusuar në sëmundjen e tuberkulozit, duke pasur për qëllim mjekimin e personave tashmë të infektuar dhe eventualisht çrrënjosjen e sëmundjes.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG