Ndërlidhjet

Protesta kundër arrestimeve


Prishtinë, 23 mars 2011
Prishtinë, 23 mars 2011
Me parulla në duar “Lufta e UÇK-së është e shenjtë”, “Liri për çlirimtarët”,”Stop rolit ekzekutiv të EULEX-it”, mijëra qytetarë protestuan në Prishtinë dhe në 25 qendra të tjera të Kosovës, duke kundërshtuar arrestimet e fundit të ish-ushtarëve të UÇK-së nga ana e policisë së EULEX-it.

Protestuesit kërkuan lirimin e menjëhershëm të ish-ushtarëve të UÇK-së, të cilët janë arrestuar nga EULEX-i.

Misioni evropian për sundimin e ligjit ka ngritur një kallëzim penal kundër 12 personave, ish-pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë këtu edhe Fatmir Limajn, ligjvënës në Kuvendin e Kosovës, nën dyshimet për krime lufte.

Pankartat në duart e protestuesve, Prishtinë, 23 mars 2011...

Organizatorët e protestave të së mërkurës deklaruan se me çlirimtarët e vendit po krijohen bilance politike në Evropë, si dhe, siç u shprehën ata, me disa veprime të fundit, po synohet njollosja e luftës së pastër të UÇK-së.

Sabit Krasniqi, përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së në Prishtinë, tha se që nga përfundimi i luftës, pjesëtarët e UÇK-së ishin dhe vazhdojnë të jenë në shënjestër të qarqeve anti-shqiptare.

“Jemi dëshmitarë të arrestimeve të njëpasnjëshme të luftëtarëve më të dalluar të UÇK-së. Derisa shpresonim se këto arrestime nuk do të përsëriten pas shpalljes së pavarësisë, të njëjtat u vazhduan me intensitet edhe më të shtuar, si pjesë e agjendës serbo-ruse për demonizimin e UÇK-së".

"Misioni i EULEX-it, që erdhi këtu për polici, drejtësi e dogana, nuk po e kryen detyrën e vet, por u bë pjesë aktive e kësaj agjende, duke argumentuar se është vazhdimësi e UNMIK-ut. Ky mision e ka degraduar veten e tij në sytë e qytetarëve”
, deklaroi Krasniqi.

Protestuesit marshuan përgjatë Sheshit Nëna Terezë, duke brohoritur gjatë gjithë kohës “UÇK”, “UÇK”...

Organizatorët e protestave, duke e konsideruar EULEX-in si të panevojshëm në Kosovë, drejtuan disa kërkesa për institucionet e Kosovës, të cilat, sipas Sabit Krasniqit, janë të domosdoshme dhe duhet të realizohen sa më parë.

Protestat në Prishtinë në shenjë pakënaqësie ndaj vnedimeve të EULEX-it për ish-pjesëtarët e UÇK-së, Prishtinë, 23 mars 2011...

“Ne kërkojmë heqjen e kompetencave ekzekutive të EULEX-it. Me një fjalë, ky mision u tregua i pasuksesshëm dhe i dështuar; kërkojmë lirimin e të gjithë luftëtarëve nga burgjet, sepse proceset ndaj tyre kanë qenë dhe janë të motivuara politikisht; kërkojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës të miratojë ligjin për vlerat e luftës, ku UÇK-ja dhe luftëtarët e saj të mund të mbrohen me ligj”
, tha Krasniqi.

Ndërkohë, një numër i vogël i forcave policore është vërejtur në qendër të qytetit, duke vëzhguar rrjedhën e protestës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha për Radion Evropa e Lirë, se në përgjithësi protestat, duke përfshirë të gjitha lokacionet, kanë kaluar të qeta dhe pa incidente.

“Protestat kanë filluar rreth orës dymbëdhjetë dhe shumica prej tyre kanë përfunduar para orës trembëdhjetë. Në aspektin e sigurisë, protestat kanë kaluar të qeta dhe nuk është regjistruar asnjë incident, në asnjë prej rajoneve apo lokacioneve ku janë zhvilluar protestat”
, bëri të ditur Kelani.

Nga ana tjetër, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, duke i komentuar protestat e së mërkurës, thanë se Kosova është një vend demokratik dhe qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe në mënyrë demokratike t’i shprehin pakënaqësitë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha:

“Qeveria e Kosovës ka mirëkuptim për secilin qytetar dhe për secilën arsye që ata mund ta kenë për një veprim të tillë, natyrisht duke respektuar ligjet dhe normat demokratike. Në anën tjetër, në Kosovë ka rregulla, ka Kushtetutë, ka ligje dhe ato ligje janë të aplikueshme në tërë territorin e Kosovës dhe kanë efekt detyrues për secilin, qoftë vendor apo ndërkombëtar”.

Ndryshe, protestës së mbajtur në Prishtinë, i janë bashkuar edhe studentët e Universitetit të Prishtinës dhe rreth 200 organizata joqeveritare që përbëjnë Koalicionin për Demokraci.

Shoqatat e dala nga lufta kanë paralajmëruar për datën 29 mars një protestë gjithë-popullore në Prishtinë.

Lexoni edhe këto:
Kushtetuta s'lejon arrestimin e deputetit
Limaj i gatshëm ta dorëzojë imunitetin
Bazat ligjore për heqjen e imunitetit
XS
SM
MD
LG