Ndërlidhjet

logo-print
Në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, do të diskutohet edhe vendimi i Qeverisë për privatizimin e ndërmarrjeve publike, duke përfshirë këtu privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës. Partitë në pushtet thonë se privatizimi i kësaj kompanie duhet të bëhet dhe që vendimi duhet të votohet. Por, deputetë të partive opozitare japin qëndrime të ndryshme lidhur me atë se a do të votojnë apo të kundërshtojnë vendimin në fjalë.


Vendimi i Qeverisë për Privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, pritet që të sërish të premten të kthehet në Kuvend, por kësaj radhe në kuadër të projekt-buxhetit për vitin 2011, bëjnë të ditur zyrtarë të Qeverisë.

Partitë në pushtet, e konsiderojnë të nevojshëm privatizimin e kësaj ndërmarrjeje, përderisa deputetë të partive opozitare shprehin qëndrime të ndryshme se a do ta votojnë apo jo këtë vendim.

Ndryshe, propozim-strategjia e Qeverisë për privatizimin e kësaj kompanie është miratuar në muajin tetor në Kuvendin e Kosovës, ndonëse me dilema të hapura rreth votimit, siç thonë, edhe vetë përfaqësuesit e Qeverisë dhe ata të Kuvendit.

Besim Beqaj, nga Partia Demokratike e Kosovës, njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, i emëruar pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, thotë se privatizimi i kësaj kompanie duhet të bëhet dhe se ky proces është pjesë e reformës strukturore të ekonomisë së vendit.

Ne jemi të bindur se procesi i privatizimit të PTK-së, është proces i funksionalizimit të modelit të ekonomisë së tregut në vend, është proces i ofrimit më të mirë të shërbimeve për qytetarët e Kosovës, është proces i rritjes së investimeve në vend dhe, normalisht, i kthimit të stabilitetit dhe punësimit të njerëzve, të cilët tashmë punojnë në Postë-Telekom”, thotë Beqaj.

Përfaqësues të partive politike opozitare shprehin mendime të ndryshme sa i takon asaj se a do ta votojnë apo jo vendimin e Qeverisë për privatizimin e PTK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka ndonjë qëndrim se a do të votojë apo do ta kundërshtojë vendimin e Qeverise, thotë Kujtim Shala, zëdhënës në këtë parti.

Sipas Shalës, LDK-ja kërkon një proces transparent dhe proces, i cili do të jetë në dobi të qytetarëve të Kosovës.

Ndryshe, strategjia për privatizimin e PTK-së, e paraqitur në Kuvend vitin e kaluar, ka qenë arsyeja, siç është thënë, të paktën publikisht, që ka shtyrë Lidhjen Demokratike të Kosovës të tërhiqet nga koalicioni i atëhershëm qeverisës, LDK-PDK, dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Nëse është e njëjta, qëndrimi është po ai. Strategjia, të cilën nuk e kemi votuar, nuk ka qenë në dobi të interesave të Kosovës, përkundrazi. Ajo strategji nuk ka përcaktuar as vlerën e vërtetë, reale të PTK-së”, thekson Shala.

Në anën tjetër, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje thonë se do ta kundërshtojnë këtë vendim.

Glauk Konjufca, deputet i kësaj lëvizjeje, thotë se privatizimi i ndërmarrjeve të mëdha publike është në kundërshtim me programin ekonomik të Vetëvendosjes

“Këtu, ne kemi në mendje katër kompani, siç është Trepça, PTK-ja , KEK-u dhe Aeroporti i Prishtinës. Këto ndërmarrje përmes një organizimi më të mirë publik, do të mund të funksionalizohen dhe të sjellin profit shumë më të madh për Kosovën”, shprehet Konjufca.

Por, Ardian Gjini, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e quan gabim që çështja e privatizimit të PTK-së të ndërlidhet drejtpërdrejt me buxhetin, pasi janë dy vendime të ndryshme dhe një gjë e tillë thotë ai, është jashtë kushtetuese.

Megjithatë, Gjini thotë se AAK-ja nuk është kundër privatizimit, por në procesin e privatizimit të PTK-së, nuk ka pasur transparencë dhe ka qenë hap i ngutshëm.

“Aleanca do ta votojë buxhetin në parim, por do të refuzojë të votojë në lexim të dytë nëse nuk pastrohet buxheti prej dy ose tri elementeve, të cilat janë aty dhe që nuk duhet të jenë aty. Një prej tyre është edhe neni 4 i projekt-ligjit për buxhetin, ku përfshihet edhe privatizimi i PTK-së me vendim të posaçëm të Qeverisë përmes votimit për buxhet”, shpjegon Gjini.

Sidoqoftë, Qeveria e kaluar, ka parakualifikuar pesë kompani për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, të cilat janë nga Shqipëria, Kroacia, Egjipti, Austria dhe Jemeni.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG