Ndërlidhjet

logo-print

"Nuk i kam premtuar asgjë Pacollit"


Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, gjatë një konference me gazetarë, sqaroi arsyet pse LDK-ja nuk e ka mbështetur lëndën e dytë për në Gjykatën Kushtetuese, të iniciuar nga AAK-ja, ndaj presidentit Behxhet Pacolli. Ai tha se AAK-ja, madje, as nuk e ka njoftuar me këtë lëndë, kurse demantoi shkrimet në mediat lokale se ai kishte lidhur një marrëveshje me presidentin Pacolli. Mustafa tha se me Pacollin nuk ka pasur asnjë kontakt që nga zgjedhja e tij në postin e presidentit të shtetit.


Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se mosakordimi i tyre në lidhje me lëndën e dytë ndaj presidentin Behxhet Pacolli në Gjykatën Kushtetuese, nuk i ka përçarë ato si subjekte opozitare.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se ai, madje, nuk ka zhvilluar asnjë takim me udhëheqjen e AAK-së në lidhje me pretendimin e kësaj partie se Pacolli ka shkelur Kushtetutën me votën e tij për qeverinë e re më 22 shkurt, pak minuta pasi që ai ishte zgjedhur dhe ishte betuar si president i Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës

“Në fakt, nuk është kurrfarë bllokade, sepse në asnjë rast nuk kemi pasur asnjë iniciativë zyrtare nga Aleanca. Nuk e kam parë kurrë asnjë tekst zyrtar të AAK-së dhe nuk ka kërkuar askush nga AAK-ja që të ulet me mua si kryetar i LDK-së dhe ta diskutojmë këtë çështje”, tha Mustafa.

Mustafa tha se LDK-ja pret fillimisht interpretimin e Gjykatës Kushtetuese nëse Pacolli është zgjedhur apo jo president sipas procedurave ligjore-kushtetuese, para se të procedohet ndonjë lëndë e re ndaj tij.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare i përgënjeshtroi dhe disa shkrime në mediat lokale, sipas të cilave, thuhet se ai kishte lidhur një marrëveshje me Pacollin që të mos e mbështeste nismën e AAK-së për në Gjykatën Kushtetuese.

Mustafa deklaroi se nuk ka zhvilluar asnjë takim dhe nuk ka pasur asnjë kontakt me Pacollin që nga zgjedhja e tij në postin e presidentit.

“Prej momentit kur janë bërë zgjedhjet për presidentin dhe Qeverinë e Kosovës, nuk e kam pasur më asnjë kontakt me zotin Pacolli, as në zyrën e tij, as në zyrën time, e as në shtëpinë e tij. Asnjë kontakt dhe asnjë premtim zotit Pacolli dhe asnjë bisedë dyorëshe me zotin Pacolli, prandaj e shoh të arsyeshme të them se ne, si LDK, nuk bëjmë pazar me askënd”,
deklaroi Mustafa.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila nuk arriti të sigurojë mbështetjen e LDK-së për lëndën e saj ndaj Pacollit, tha se nuk mendon se ky mospajtim i ka prishur marrëdhëniet ndërmjet dy partive opozitare.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, tha se bashkëpunimi me LDK-në do të vazhdojë sa herë që të jetë e nevojshme, si dy parti opozitare në Parlament.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

“Nuk besoj se ka ndonjë prishje të raporteve mes partive opozitare. Mund të ketë tema, për të cilat ne nuk mund të pajtohemi, por ka edhe shumë tema, për të cilat pajtohemi. Tekefundit jemi në fazën e parë të kësaj jete të përbashkët opozitare. Absolutisht, ne do të provojmë tërë kohën që të kemi gjuhë të përbashkët me subjektet opozitare për temat që kanë rëndësi për vendin dhe jetën e qytetarëve”,
theksoi Ramadani.

Ndryshe, LDK-ja dhe AAK-ja fillimisht ishin pajtuar që të iniciojnë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e respektimit të procedurave ligjore e kushtetuese në rastin e zgjedhjes së Behxhet Pacollit në postin e presidentit të Kosovës.

Kurse, mospajtimi ndërmjet këtyre dy subjekteve për lëndën e dytë ndaj Pacollit, ishte konsideruar nga disa analistë dhe gazeta si reflektim i jounitetit te këto dy subjekte opozitare.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG