Ndërlidhjet

logo-print

Paralizohet mbrojtja ajrore libiane



Forca ajrore e Gadafit "nuk ekziston më si forcë luftarake", deklaroi marshalli britanik Greg Baguell, i cili është një nga drejtuesit e operacioneve ushtarake kundër caqeve të sundimtarit libian.

Baguell theksoi se aleatët tani mund të veprojnë thuajse me liri të plotë mbi qiellin libian, derisa presioni po shtohet mbi forcat e armatosura të Libisë.

Raportet nga terreni flasin për bombardime të forcave qeveritare kundër spitalit në qytetin e Misratës, që mbahet nga rebelët. Banorët e qytetit thanë se në Misrata po ndodhte masakër, ku tanket dhe artileria po shkatërrojnë ndërtesat, derisa snajperat po vrasin njerëzit pa asnjë arsye.

Zëdhënësi i forcave rebele tha se 16 persona janë vrarë në Misrata dhe gjashtë të tjerë në sulmet në Zintan, një tjetër qytet që është në duart e kundërshtarëve të Gadafit.

Gjatë natës, aeroplanët e forcave ndërkomëtare bombarduan caqet e mbrojtjes ajrore libiane në afërsi të Tripolit dhe një bazë ushtarake në rrethinat e Misratës.

Një shpërthim i fuqishëm është ndier dhe në një tjetër bazë ushtarake, 32km në lindje të Tripolit.

Nga ana tjetër vendet anëtare të NATO-s nuk kanë marrë ende një vendim për zgjerimin e përfshirjes së Aleancës.

"Ajo çfarë kemi aktualisht janë 28 aleatë që diskutojnë operacionet në Libi në frymë konstruktive. Ata kanë bërë hapin e parë drejt zbatimit të rezolutës së OKB-së. Mendoj se është e rëndësishme që NATO-ja është e bashkuar dhe po vepron", tha zëdhënësja e kësaj organizate Oana Lungesku.

Franca dëshiron një grup drejtues të përbërë nga vendet e koalicionit, përfshi Lidhjen Arabe, që të ushtrojë kontroll politik derisa NATO-ja duhet të ketë rol kyç operacional.
XS
SM
MD
LG