Ndërlidhjet

Përvjetori i shpresës


Bllacë, mars 1999.
Bllacë, mars 1999.
Bombardimet e para mbi caqet serbe në ish-Jugosllavi, nga aviacioni i NATO-s, më 24 mars të vitit 1999, shënuan fillimin e përfundimit të agonisë së shqiptarëve të Kosovës nën regjimin e Serbisë.

Ky është opinioni i analistëve të çështjeve politike, ekspertëve të sigurisë dhe qytetarëve shqiptarë në Kosovë.

Ata e përkujtojnë 12-vjetorin e intervenimit të NATO-s si një mrekulli, por edhe si ankth nga hakmarrja e forcave serbe mbi ta, për shkak të këtyre bombardimeve.

Agim Musliu, ekspert për çështje të sigurisë, vlerëson se nga perspektiva e sotme, shihet qartë arsyeshmëria e bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.

“Intervenimi i NATO-s në Kosovë ka qenë i arsyeshëm dhe i bazuar në të drejtat elementare, të drejtat e njeriut. Do të thotë, për çështje humanitare, për të shpëtuar një popull nga shfarosja e pjesshme apo e tërësishme . Kjo fushatë i ka paraprirë humbjes së luftës së Serbisë në terren”, thekson Musliu.

Mendim të ngjashëm lidhur me intervenimin e aviacionit të NATO-s mbi caqet serbe, ka edhe Halil Matoshi, analist i çështjeve politike. Ai përkujton mbrëmjen e 24 marsit të 12 vjetëve më parë.

“Unë kam qenë brenda Kosovës, në Hajvali, ku praktikisht ka rënë ‘Tomahouk’-u i parë mbi njësitë speciale të forcave serbe dhe kjo ka qenë fundi i agonisë së një populli të tërë. Nga perspektiva e sotme mund të thuhet se doli i drejtë botëkuptimi i shteteve të fuqishme perëndimore, se intervenimi humanitar ia vlen”, thotë Matoshi.

Itali, baza ajrore Amendola, 25 mars1999
Por, Millan Ivanoviq, lider i serbëve të veriut të Kosovës, fushatën e bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe e quan shkelje të ligjeve ndërkombëtare, për shkak se, siç shprehet, kjo fushatë nuk ka pasur miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Ata e quajtën aksionin ‘Engjëlli i mëshirshëm’ për shkak të, kinse, katastrofës humanitare. Kemi parë edhe pas 12 vjetësh, kur gjërat janë më të qarta, se nuk ka pasur arsye të vërtetë për bombardim”, thotë Ivanoviq.

Dragisha Kërstoviq, politikan serb nga Kosova qendrore, thotë se problemet në Kosovë kanë qenë evidente, me gjithë faktin që, sipas tij, bombardimi ka qenë i panevojshëm.

“E di që problemi ka qenë serioz. Problemi, për shkak të cilit edhe është ndërmarrë bombardimi, ka qenë vërtet serioz. Por, megjithatë, mendoj se ka mundur të zgjidhet me ndonjë mënyrë tjetër të presionit, me mjete tjera politike, diplomatike...”, shprehet Kërstoviq.

Në anën tjetër, disa qytetarë shqiptarë të Kosovës thonë se nisja e bombardimeve mbi caqet serbe, kishte ngjallur emocione të dyfishta.

Kosum Mjeku rrëfen:

“E kemi pritur me një gëzim të madh, sepse kemi qenë të okupuar. Por, kemi pasur edhe vështirësi, sepse pasi që i kishte sulmuar NATO forcat serbe, ato iu kundërvunë popullit të pambrojtur”.

Ngjashëm thotë edhe Afërdita Hoxha:

“Ka pasur frikë, por ka pasur edhe lumturi. Do të thotë, ka qenë diçka që ka shkuar paralel”.

Fushata ajrore e NATO-s
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:02 0:00


Edhe Ismajl Bajraktari rrëfen për një situatë të tillë:

“E kemi pritur 24 marsin me qejf, por edhe me një dozë të frikës, sepse makineria serbe ishte e pamëshirshme ndaj popullit tonë. Hakmarrje e tmerrshme... do të thotë, ne ishim të pambrojtur”.

Por, Matoshi e shpjegon kështu situatën e atëhershme:

“Vetë fakti i hakmarrjes, neve na bënte të kuptonim se po i vinte fundi atij regjimi”.

Në anën tjetër, me rastin e 12-vjetorit të fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, në oborrin e shtëpisë së kulturës në Graçanicë, serbët kanë zhvilluar ritualin e lutjeve, "për të nderuar viktimat e bombardimeve". Në lutje mori pjesë peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, dhe murgjit.

Në veriun e Mitrovicës është mbajtur një protestë me sloganin “Së bashku për Serbinë”. Protesta është organizuar nga të ashtuquajturat katër komuna serbe në veri të Kosovës.

Serbët kanë dërguar porosinë për, siç thuhet, bashkësinë ndërkombëtare, Prishtinën dhe Beogradin, se nuk dëshirojnë të integrohen në institucionet e Kosovës.

Kërstimir Pantiq, politikan serb i veriut të Kosovës, iu drejtua protestuesve duke thënë se bombardimi i NATO-s kishte ndodhur për të formuar edhe një shtet shqiptar në Ballkan. Por, sipas tij, serbët nuk do të integrohen në këtë shtet.

Ndërkaq, të gjithë qytetarët shqiptarë thonë se prania e NATO-s në Kosovë është edhe sot e domosdoshme. Këtë mendim e ndajnë edhe ekspertët e sigurisë, analistët politikê, si dhe politikanët serbë. Agim Musliu shpjegon domosdoshmërinë e kësaj pranie:

“Prezenca e NATO-s është më së e nevojshme dhe jetike për Kosovën, zhvillimin e saj dhe integrimin e saj në NATO dhe instrumentet tjera ndërkombëtare”.

Nish, 12 prill 1999
Por, Ivanoviq nënvizon arsye të tjera, lidhur me domosdoshmërinë e pranisë së KFOR-ir, si pjesë e NATO-s.

“Prania e KFOR-it është e domosdoshme edhe në këtë çast, pikërisht për shkak të qëllimeve dhe paralajmërimeve të disa institucioneve të Kosovës dhe disa qarqeve jashtë institucioneve, për të imponuar zgjidhjen për integrimin e pjesës, ku serbët janë shumicë, e sidomos veriut”, thotë Ivanoviq.

Kërstoviq thotë se është bërë përparim në sigurimin e stabilitetit në Kosovë, por ende, sipas tij, jo mjaftueshëm.

“Stabiliteti ende nuk është i plotë. Mendoj se kërkohet edhe për një kohë (prania e KFOR-it). Kjo nuk është në interes vetëm për njërën apo bashkësinë tjetër etnike, por është me interes për të gjithë që KFOR-i të jetë këtu”, deklaron Kërstoviq.

Mendim të ngjashëm shpreh edhe analisti Matoshi:

“Derisa vendet e Ballkanit perëndimor nuk demokratizohen dhe nuk krijojnë standarde konform me bllokun e vendeve evropiane, janë të nevojshme (trupat e KFOR-it), jo vetëm për arsye të mbrojtjes së sigurisë dhe të kufijve, por edhe për efekt psikologjik".

"Aty ku praktikisht janë forcat e NATO-s, njerëzit fuillojnë të mendojnë krejtësisht ndryshe”,
thekson Matoshi.

Sulmet e NATO-s mbi caqet serbe zgjatën 78 ditë. Gjatë asaj kohe, forcat serbe patën dëbuar nga Kosova rreth 1 milion shqiptarë. Fushata e bombardimeve e NATO-s i detyroi autoritetet e atëhershme serbe që më 9 qershor ta nënshkruajnë të ashtuquajturën “Marrëveshje e Kumanovës”. Kjo i hapi rrugë hyrjes së forcave tokësore të NATO-s në Kosovë, si dhe tërheqjes së forcave serbe nga vendi.
XS
SM
MD
LG