Ndërlidhjet

logo-print
Derisa bombat e NATO-s bien mbi Libi, për çdo ditë dalin zëra që dënojnë ndërhyrjen e realizuar pas miratimit të OKB-së.

Në mesin e më të zëshmëve kundër ndërhyrjes është udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatullah Ali Hamenei.

“Rebelët po bombardohen. Ju duhet t’i kishit ndihmuar, t’iu jepnit armë dhe armë kundërajrore. Në vend të kësaj pritët një muaj dhe vështronit vrasjen e një kombi. Tani doni të hyni. Ju nuk erdhët për të mbrojtur popullin. Jeni pas naftës së Libisë”, tha Hamenei, duke iu drejtuar NATO-s.

Kryeministri rus, Vladimir Putin, ka vënë në pikëpyetje vendimet e OKB-së dhe të NATO-s, duke i krahasuar me “thirrjet mesjetare për kryqëzata”.

Nuk ka mbetur pas as Kina, e cila ka kërkuar armëpushim. Në mesin e kundërshtarëve është dhe një vend anëtar i Aleancës, Turqia. Ankaraja zyrtare përsërit se Libia duhet t’i zgjidhë çështjet e brendshme pa ndërhyrje nga jahstë.

Pavarësisht kritikave, mbrojtësit e ndërhyrjes ushtarake pohojnë se sulmet ishin nevojë urgjente humanitare.


Përgjegjësia për të mbrojtur

Në zemër të debatit rreth Libisë është një nga pyetjet më sfiduese të politikës së jashtme: Kur ka të drejtë një shtet të ndërhyjë në punët e tjetrit?

Mbështetësit e ndërhyrjes bazohen kryesisht në parimin “Përgjegjësi për të mbrotjur” civilët. Parimi i mbrojtjes së civilëve i ka rrënjët në kujtimet e Holokaustit dhe në gjenocidet e kohëve moderne në Bosnjë, Darfur dhe Ruanda.

Partizanët e parimit “Përgjegjësi për të mbrotjur” e shohin përdorimin e forcës ushtarake si mundësinë e fundit.

Ndonëse parimi në fjalë ka fituar mbështetje gjithmonë e më shumë gjatë dekadave të fundit, shtetet ende kanë mosmarërveshje rreth kohës dhe rrugëve të ndërhyrjes ushtarake.

Bengazi
Shahshank Joshi, ekspert pranë Royal United Services Institute në Londër, thotë se debati rreth Libisë është pasionant, për shkak të dy ndërhyrjeve të mëhershme në vendet myslimane, në Afganistan e në Irak.

Edhe pse shtetet e pranojnë sovranitetitn, ky fakt nuk mund të përdoret si justifikim, pas të cilit mund të fshihen sulmet ndaj civilëve. Ky justifikim ka pësuar goditje në veçanti nga dy ndërhyjret e 10 vjetëve të fundit, të cilat, së paku pjesërisht, kanë pasur dhe arsye humanitare”, thotë Joshi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe fakti se një e treta e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit abstenuan për rezolutën që lejon ndërhyrjen ushtarake në Libi, është dëshmi e shqetësimeve të shteteve për parimin “Përgjegjësi për të mbrojtur”.

Rusia, Kina e India ishin në mesin e shteteve që abstenuan. Për Joshin, shqetësimet e këtyre vendeve e kanë një shpjegim.

Nëse përgjegjësia për të mbrojtur transformohet në një lloj license të perëndimit për të ndërhyrë për ato çështje që këto shtete i quajnë probleme të brendshme apo i kufizon ato vende për të përdorur forcën kundër lëvizjeve të armatosura brenda territorit të tyre, kjo do të ishte shqetësim shumë i madh për këtë grup shtetesh”, sqaron Joshi.

Rusia, Kina e India po ashtu kanë kundërshtuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, që çoi së pari në protektorat e më pas në shkëputjen nga Serbia, apo në ndarjen e Serbisë, siç e interpretojnë këto shtete. Ky është një lloj fati që këto shtete duan të shmangin.

Nëse ndërhyrjet ushtarake për të mbrojtur civilët i detyrojnë shtetet të marrin vendime të vështira, a nënkipton kjo se nuk duhet bërë asgjë për të ndaluar krimet?

Shumë do të thoshin se kjo është zgjedhja më e keqe e mudnshme.

Vetëm pse nuk mund të ndërhyjmë kudo, nuk do të thotë se nuk duhet të ndërhyjmë askund. Vlerësimi bëhet për çdo rast, duke marrë parasysh arsyet humanitare dhe shqetësimet strategjike. Nuk ka arsye pse të mos gjejmë një baraspeshë të këtyre faktorëve kur artikulojmë politikën e jashtme”, shprehet Joshi.

Ata që e kanë ndjekur këtë debat e dinë që baraspesha është e vështirë të arrihet. (i.b.)

Lexoni edhe këtë:
Independent: Gadafi përdor taktikat serbe

XS
SM
MD
LG