Ndërlidhjet

logo-print

NATO komandon fushatën në Libi

  • RFE /RL

Forcat ajrore në Detin Mesdhe...

Forcat ajrore në Detin Mesdhe...

NATO pranoi të marrë komandën e operacioneve që synojnë vendosjen dhe ruajtjen e zonës së ndalim-fluturimit mbi Libi. Megjithatë kreu i Aleancës, Anders Fogh Rasmusen, e bëri të qartë se aspektet e tjera të operacionit do të mbeten në duart e koalicionit aktual.

“Ne do të bashkëpunojmë ngushtë me partnerët tanë në rajon dhe e mirëpresim kontributin e tyre. Të gjithë aleatët e NATO-s janë të përkushtuar t’i përmbushin obligimet e tyre në bazë të rezolutës së Këshillit të Sigurimit. Kjo është arsyeja përse kemi vendosur të marrim përgjegjësinë për zonën e ndalim fluturimeve”
, tha Rasmusen.

NATO-ja ka qenë e mbërthyer nga mosmarrëveshjet nëse duhet të merrte apo jo drejtimin e operacionit të mandatuar nga rezoluta e KS-së për Libinë.

Koalicionit i është shtuar një tjetër kontribues, Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat do të dërgojnë 12 aeroplanë luftarakë për t'iu bashkuar aleatëve ndërkombëtar.

Emiratet, pas Katarit, janë bërë kështu vendi i dytë arab që dërgon aeroplanë luftarakë në misionin në Libi. Gjatë 24 orëve të fundit kanë vazhduar sulmet e forcave ndërkombëtare ndaj caqeve të Gadafit.

Rreth 14 sulme me raketa Tomahauk janë bërë në drejtim të caqeve të sundimtarit libian.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, e mirëpriti vendimin që aleanca t’i drejtojë operacionet në Libi.

“Prej fillimit, presidenti Obama ka theksuar se roli i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara do të jetë i kufizuar në kohë dhe hapësirë. Misioni ynë ka qenë që t’i përdorim kapacitetet unike të Amerikës për të krijuar kushte për zonën e ndalim-fluturimit dhe të asistojmë për nevojat humanitare".

NATO është mirë e përgatitur t’i koordinojë përpjekjet ndërkombëtare dhe të sigurojë se të gjitha vendet pjesëmarrëse po punojnë me efektivitet drejt synimeve tona të përbashkëta”, tha Klinton.

Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi, tha se NATO do t’i bashkërendojë mekanizmat e operacioneve nëpërmjet qendrës së kontrollit në Napoli.

“Nëse ushtarët e z. Gadafi kthehen te njësitet e tyre, nëse pushojnë së sulmuari qytetet dhe pushojnë së kërcënuari njerëzit, atëherë ky do të mbetet një problem ndërmjet vetë libianëve, dhe mandati i Këshillit të Sigurimit do të përfundonte”,
theksoi Sarkozi.

Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, kërkoi nga homologu i tij amerikan, Barak Obama, të shmangen viktimat civile në Libi, si dhe të kufizohen qëllimet e fushatës ndërkombëtare në ato që ka përcaktuar rezoluta e OKB-së.

Kremlini njoftoi se Obama e Medvedevi kanë zhvilluar një bisedë telefonike rreth krizës në Libi. Shqetësimi rus ka të bëjë me faktin se operacionet ajrore mund të pasohen nga ndërhyrja tokësore që ka si synim rrëzimin e Gadafit.(v.p.)
XS
SM
MD
LG