Ndërlidhjet

logo-print

Guardian: Liliputët dhe Guliveri


Barak Obama

Barak Obama

“Guardian”

Javën e shkuar, kur Barak Obama publikoi certifikatën e tij të lindjes, për t'i bërë të heshtin ata që për një kohë të gjatë kanë dyshuar në identitetin e tij amerikan, ai shpjegoi se rëndom nuk u përgjigjet akuzave të këtilla të pakuptimta, sepse kishte punë tjetër për të bërë.

Tani e dimë, se ato punët tjera përfshinin edhe planifikimin e kujdesshëm të një ngjarjeje që mund ta transformojë presidencën e tij, të riformësojë edhe mënyrën se si shihet dhe politikën e jashtme që ai ndjek.

Suksesi i operacionit në Abotabad i bën rivalët e Obamës të duken vërtet të vegjël, liliputë që ndjekin fantazi të egra, ndërkohë që Guliveri merret me çështje të rëndësishme. Ai e ka bërë edhe me qesharake deklaratën e Donald Trumpit se ndihet krenar që e ka detyruar Obamën të tregojë ku ka lindur. Presidenti Obama dëshmoi se si duket një arritje e vërtetë.

Asnjë trofe tjetër nuk mund të ketë më shumë rëndësi për opinionin publik në Amerikë, duke qenë se Bin Ladeni ishte një personalitet i urrejtjes kombëtare. Roli i Obamës në mbytjen e dragoit mund të mos e bëjë atë një hero kombëtar, por do ta bëjë dyshimin e republikanëve mbi patriotizmin e tij të duket si veprim fëmijëror.

Vrasja në Pakistan do të varrosë edhe një kritikë tjetër, e cila rrallëherë është artikuluar në formë të prerë – pandehjen se Obama nuk ishte i ashpër sa duhet, nuk ishte maço sa duhet për të qenë komandant suprem i Shteteve të Bashkuara.

Amerikanët kanë nevojë të dinë se presidenti i tyre ka brenda vetes edhe çelik dhe sado që tingëllon ashpër, Obama e ka kaluar këtë test, me valëvitjen e ngjyrës së kaltër, të kuqe dhe të bardhë.

Dhe, e bëri në mënyrën e tij. Në paraqitjen televizive, stili i Obamës, për dallim nga koha e deklaratës zyrtare me rastin e arrestimit të Sadam Huseinit, ishte më ndryshe; ishte i matur dhe më i qetë, me kujtime nga 11 shtatori dhe imazhet e asaj dite.

Gjithë këto ogure flasin në të mirë të rizgjedhjes së Obamës në 2012-n, ndonëse një afat prej 18 muajsh është kohë e gjatë në politikë. Po të kryhet ndonjë sulm spektakular kundër ndonjë caku amerikan, në përpjekje për t'u hakmarrë për vdekjen e Bin Ladenit, atëherë euforia aktuale mund të shkrihet. Fundja, fushata e vitit të ardhshëm duket se do të merret më shumë me ekonominë, e më pak me sigurinë.

Por, tash për tash, vrasja e njeriut më të kërkuar në botë simbolizon një president me mundësi të mëdha përpara vetes.

Kokëçarja më e madhe për Obamën, jashtë Shteteve të Bashkuara, mbetet lufta në Afganistan. Pas vrasjes së Bin Ladenit, shumë amerikanë mund të pyesin pse duhet vazhduar misionin në Afganistan?

Obama mund të bëjë më shumë se të insistojë në kthimin e më shumë ushtarëve amerikanë në shtëpi. Ai mund ta shfrytëzojë vdekjen e Bin Ladenit për të hartuar një strategji daljeje të tërësishme, duke synuar një zgjidhje kredibile.

Ka rreziqe në këtë mes për Obamën. Nëse nuk vepron shpejt, opinioni publik mund ta tejkalojë atë - padurimi për një luftë dhjetëvjeçare në Afganistan mund të shndërrohet në padurim për presidentin që nuk i jep fund asaj lufte.

Megjithatë, tash për tash, ai ka shënuar një fitore të vlerësueshme. Në dy vjet, ai ka bërë atë që paraardhësi i tij ka dështuar në tetë vjet.

Dhe, mbishkrimi i Bushit “Mision i përmbushur” duhet të mbetet në bodrumin e Shtëpisë së Bardhë, sepse Al Kaida mbetet, lufta në Afganistan nuk ka marrë fund dhe ka ende shumë punë për të bërë.(a.v.)
XS
SM
MD
LG