Ndërlidhjet

S’ka debat për SHIK-un


Foto arkiv
Foto arkiv
Debati për SHIK-un, i iniciuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe ai për dënimin e krimeve të pasluftës në Kosovë, i iniciuar nga Partia Demokratike, nuk e kanë marrë mbështetjen e nevojshme për t’u zhvilluar në Kuvend.


Partitë politike në Kuvendin e Kosovës nuk kanë shprehur vullnet dhe interesim për të diskutuar në lidhje me Shërbimin Informativ të Kosovës, të njohur si SHIK.

Iniciuesi i këtij debati, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, tha se ua ka shpërndarë kërkesën të gjitha grupeve parlamentare, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Heshtjen e grupeve parlamentare ndaj kësaj kërkese, ai e sheh edhe si jogatishmëri për debat në lidhje me atë se kush ishte SHIK-u, mbi çfarë baze ka funksionuar, kujt i ka raportuar, ku janë dosjet dhe nga kush është financuar.
Nuk ka vullnet dhe as ambient politik për t’i filluar hetimet ndaj SHIK-ut.

“Unë ua kam dorëzuar kërkesën zyrtare të gjitha grupeve parlamentare shqiptare në Parlament dhe listën për nënshkrime. Deri më tash nuk i kam marrë nënshkrimet nga grupet parlamentare. Shihet që nuk ka vullnet dhe as ambient politik për t’i filluar hetimet ndaj SHIK-ut, kështu që unë do të pres edhe pak ditë dhe do të vendos se çka do të bëj”, theksoi Ramadani.

Pas AAK-së, edhe Partia Demokratike e Kosovës ka iniciuar një kërkesë, me të cilën ftohej Kuvendi që me anë të një rezolute të dënonte të gjitha krimet e kryera në Kosovë që nga mbarimi i luftës. Të dyja nismat ishin marrë me rezerva nga pjesa tjetër e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se ky institucion nuk mund ta injorojë të kaluarën. Por, sipas tij, Kuvendi e ka për obligim të nxjerrë të paktën një rezolutë për t’i dënuar krimet në kohën e komunizmit.

Në lidhje me kërkesat për debat për SHIK-un apo edhe kërkesën e PDK-së për t’i dënuar krimet e bëra pas luftës, Krasniqi rikujtoi se Kuvendi nuk mund t’i zëvendësojë organet kompetente si prokuroritë e gjykatat.

“Do të ishte më se e domosdoshme, e kemi edhe obligim nga një rezolutë e Parlamentit të Bashkimit Evropian për t’i dënuar krimet e komunizmit, Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në Kosovë dhe nuk e kemi bërë atë gjë”.

“Do të thotë, në Kosovë kemi aq shumë probleme të natyrës politike, ekonomike e të sundimit të ligjeve dhe ndoshta nuk po gjejmë forcë për t’u marrë me problemet që na i ka sjellë dhe grumbulluar koha”,
tha Krasniqi.

Debati për SHIK-un është marrë me rezerva edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo më e madhja në opozitë. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se LDK-ja nuk do t’i ikte debatit, por nënvizoi se asnjë komision hetues parlamentar nuk do të mund t’i zëvendësonte organet e hetuesisë dhe gjykatat që të merret me këto çështje.

“SHIK-u dhe veprimtaria e SHIK-ut nuk janë çështje të ditës ose orës dhe nuk i shoh aq urgjente. Nuk janë plotësuar procedurat, kushtet për debat, sikurse edhe pjesa tjetër e tentimit - gjoja për t’u distancuar nga krimet e pasluftës”.
Kuvendi nuk ka bërë krime për t’u distancuar nga dikush...

“E kemi thënë tekstualisht se ato krime as nuk vjetrohen, e as nuk mund të distancohet dikush nga to, sepse Kuvendi nuk ka bërë krime për t’u distancuar nga dikush. E nëse ka individë që duan të shfajësohen për të bërat a të pabërat në të kaluarën, ai është problem i tyre”,
tha Beqiri.

Në vend të debateve në lidhje me SHIK-un dhe çështjet tjera që kanë ndodhur në Kosovë pas luftës, Kuvendi ka aprovuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka vendosur që në seancën e së enjtes të ftohet në interpelancë kryeministri Hashim Thaçi, i cili do të raportojë në lidhje me bisedimet Kosovë – Serbi.
XS
SM
MD
LG