Ndërlidhjet

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shprehjes, Qeveria ka qenë ajo që sërish ka marrë kritika nga gazetarët kosovarë se po ngufat fjalën e lirë.

Në një konferencë për media, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK), Arben Ahmeti, tha se institucionet e vendit duhet të turpërohen për gjendjen e krijuar në media.
Institucioneve të Kosovës duhet t’iu vijë turp për gjendjen, në të cilën e kanë sjellë lirinë e shprehjes.

“Institucioneve të Kosovës duhet t’iu vijë turp për gjendjen, në të cilën e kanë sjellë lirinë e shprehjes, duke pasur parasysh se kjo gjendje asnjëherë nuk po përmirësohet, por po degradon”.

“Ata, të cilëve më së shumti duhet t’iu vijë turp, duket se janë ata që më së shumti kanë partneritet me mediat - pra Qeveria e Kosovës. Në tre gazetarë, çdo i dyti e ka identifikuar (Qeverinë) si një cenuese të lirisë së gazetarëve”,
deklaroi Ahmeti.

AGPK-ja, me rastin e kësaj dite, ka publikuar një raport me disa të gjetura lidhur me lirinë e shtypit në Kosovë.

Ahmeti tha se nuk është vetëm Qeveria ajo që po e cenon lirinë e shprehjes, por, siç u shpreh ai, një gjë të tillë e bëjnë edhe partitë politike.

“Hiç më mirë nuk i kanë punët as partitë politike, të cilat janë identifikuar gjithashtu nga gazetarët... Ato janë në vendin e dytë sa i përket cenimit të lirisë së shprehjes. Kjo e bën problemin edhe më serioz, edhe më të madh, kur e kemi parasysh që këto parti politike e ndërtojnë komplet pushtetin”, u shpreh Ahmeti.

Përveç ndikimeve politike në media, edhe marketingu, tash e disa vjet, shihet si mënyrë moderne e kontrollimit të mediave. Për këto çështje, por edhe për kritikat ndaj Qeverisë, zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari Lila tha:

Qeveria e Kosovës
“Të gjitha këto do t’i kemi parasysh në përmirësimin e situatës në përgjithësi. Gjithsesi jemi të vetëdijshëm se varshmëria ekonomike e mediave, si nga institucionet e nivelit lokal, po ashtu edhe ato të nivelit qendror, ndikon drejtpërdrejt në lirinë e medieve”.

“Prandaj, një zhvillim më i qëndrueshëm ekonomik dhe një zhvillim i sektorit privat do të ndikonin drejtpërdrejt në pavarësimin më të madh të mediave në vend”,
tha ajo.

Liria e mediave ka qenë temë debati edhe në Fakultetin e Komunikimit Masiv AAB-Riinvest.

Anëtari i Komisionit për Media në Kuvendin e Kosovës, Sadri Ferati, tha se gjendja aktuale e mediave është pasojë e situatës në terren.

“Sikur edhe fushat e tjera të jetës, duke filluar nga arsimi, shëndetësia dhe të tjerat, që pak a shumë janë pasojë e mentalitetit dhe pasojë e gjendjes reale që e kemi në shoqëri, unë besoj se edhe vetë informimi pak a shumë ndërlidhet me këtë situatë të përgjithshme që e kemi në shoqërinë kosovare”, tha Ferati.

Arsim Lani është gazetar në Televizionin Klan Kosova. Ai përmendi disa nga sfidat me të cilat përballen gazetarët:

Tendenca e vazhdueshme e pushtetit për t’i kontrolluar mediat, frika që pushteti ka ndjellë te gazetarët nëse ata tentojnë të bëjnë diçka profesionale, një gazetari hulumtuese, e cila realisht i mungon Kosovës...”.

Raporti i fundit i organizatës ndërkombëtare Freedom House e ka vlerësuar lirinë e shtypit në Kosovë si pjesërisht të lirë, me notën 51, nga 53 sa ishte vitin e kaluar.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG