Ndërlidhjet

"Kudo që të prekim në sektorin e shëndetësisë, shohim mungesa enorme. Është një sistem shëndetësor, i cili e ka degjeneruar dinjitetin e punëtorëve shëndetësorë dhe të pacientëve, një sistem i cili është shumë pak i financuar, por i cili gjeneron shërbime shëndetësore shumë më të mira sesa që shteti investon në të", thotë ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Agani, jeni duke udhëhequr një dikaster për të cilin është thënë se vuan nga shumë probleme. Cilat janë sfidat më serioze për ju?
FERID AGANI
Vërtet është një dikaster, i cili brenda tij ka probleme të grumbulluara me vite të tëra. Sfidat janë të shumta dhe nuk janë të thjeshta. Janë mjaft komplekse.

Praktikisht, kudo që të prekim në sektorin e shëndetësisë, shohim mungesa enorme, duke filluar nga Ministria e Shëndetësisë, organet e saj, e deri te sistemi shëndetësor me mungesa të jashtëzakonshme, që është jashtë kohës, që është plotësisht i degraduar në përbërjen e tij.

Ai është një sistem, i cili e ka degjeneruar dinjitetin e punëtorëve shëndetësorë dhe të pacientëve, një sistem i cili është shumë pak i financuar, por i cili gjeneron shërbime shëndetësore shumë më të mira sesa që shteti investon në të – për çfarë duhet lëvduar.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mendoni t’i realizoni reformat aq shumë të përmendura në sektorin e shëndetësisë?

FERID AGANI

Fillimisht duke shtruar rrugën e një kornize të qartë legjislative, pra duke i ndryshuar ligjet sistemore, duke nxjerrë ligjin e ri të shëndetësisë, ligjin e ri të sigurimeve shëndetësore dhe ligjin e ri të barnave dhe pajisjeve medicinale.


Duke i miratuar këto ligje, ne do të shtrojmë një proces, i cili unë shpresoj se do të jetë reformues, do të ndryshojë raportet ekzistuese brenda sektorit të shëndetësisë, do të ndryshojë pozitën e institucioneve shëndetësore, do të ndryshojë pozitën e tyre nga institucione që harxhojnë buxhet në institucione që do të fitojnë të ardhura, do të gjenerojnë të ardhura dhe me këto të ardhura plotësuese do të përmirësojnë kualitetin e shërbimeve shëndetësore.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë gjithashtu se reformat varen edhe nga sigurimet shëndetësore... Sa ka buxhet për një gjë të tillë, duke qenë se mungesa e mjeteve financiare është përmendur gjithmonë si arsye e mosrealizimit të ligjit për sigurime shëndetësore?
FERID AGANI
Sistemi i sigurimeve shëndetësore në Kosovë funksionon në një pjesë – pra funksionon në pjesën e sigurimeve private shëndetësore dhe atë në 3-4 vjetët e fundit. Kjo flet për atë se ekziston mundësia që në Kosovë të ketë një sistem publik të sigurimeve shëndetësore.

Ne do ta themelojmë. Ky sistem do të fillojë të funksionojë që nga janari i vitit të ardhshëm dhe do të përmirësojë gjendjen financiare të sektorit të shëndetësisë.

Nuk do të përqendrohemi në grumbullimin e kontributeve vetëm nga të punësuarit në sektorin formal, publik dhe privat, por do të jetë një obligim për pagesën e premiumeve të sigurimeve shëndetësore i të gjithë qytetarëve të vendit, pa marrë parasysh se a janë të punësuar apo të papunësuar, apo janë në asistencë sociale.

Kur e them këtë, natyrisht se për ata që janë në asistencë sociale dhe për kategoritë e qytetarëve që nuk kanë mundësi të paguajnë kontribute, do të paguajë shteti. Dikush do të paguajë për shërbime shëndetësore, sepse kjo situatë, në të cilën askush nuk paguan asgjë, përpos participimeve tejet të ulëta, është e paqëndrueshme.

Edhe me e paqëndrueshme është situata, në të cilën sistemi publik i shëndetësisë, pra institucionet publike shëndetësore punojnë për kompanitë private të sigurimeve, të cilat marrin para nga qytetarët, ndërsa në institucionet publike shëndetësore këta qytetarë nuk paguajnë asgjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohëve të fundit është ngritur edhe një çështje në raport me barnat që janë të regjistruara për shfrytëzim. Ka pasur kritika se ato janë të pamjaftueshme dhe i rrezikojnë në raste të caktuara pacientët. Cila është përgjigjja juaj?
FERID AGANI
Përgjigjja ime është se në periudhën e kaluar kohore, në Ministrinë e Shëndetësisë ka pasur vonesa të palejueshme në procesin e regjistrimit të barnave. Një medikamenti i është dashur 6-7 muaj për t’u regjistruar dhe kjo ka bërë që numri i barnave të regjistruara në vend, të jetë tejet i ulët – ky është njëri faktor.

Faktori i dytë është se shumë kompani të barnave nuk kanë pasur interes t’i regjistrojnë barnat, sepse tregu i Kosovës është i vogël dhe nuk e kanë parë të arsyeshme që sasitë e vogla të barnave që mund t’i shesin në Kosovë, t’i regjistrojnë. Ato kanë llogaritur që ato barna edhe ashtu mund t’i shesin në tregun e zi, duke i kontrabanduar.

Pra, këtu bëhet fjalë për një situatë komplekse, ku ka faktorë subjektivë brenda Ministrisë së Shëndetësisë që i kanë kontribuar, por ka dhe faktorë objektivë, siç është interesimi i vogël i kompanive për t’i regjistruar barnat e tyre.

Unë jam duke ndërmarrë masa të vendosura në ditët e fundit për t’i lehtësuar procedurat e regjistrimit të barnave, për t’i shkurtuar ato procedura në masën më të mundshme reale dhe në këtë mënyrë të rrisim numrin e preparateve që do të regjistrohen.

Njëkohësisht, jam duke përgatitur një vendim ekzekutiv, me të cilin do të kërkoj nga Qeveria, në pajtim me ligjin, që të lejohet importi edhe i barnave, të cilat nuk janë të regjistruara, por të cilat janë të regjistruara në shtetet me të cilat Ministria e Shëndetësisë ka marrëveshje bashkëpunimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili do të jetë mekanizimi juaj i kontrollit në destinimin e këtyre barnave?
FERID AGANI
Prej janarit të vitit të ardhshëm, kjo do të jetë përgjegjësi e vetë menaxherëve të institucioneve shëndetësore, sepse, me ndryshimet reformuese, ne planifikojmë që këto institucione shëndetësore të mos jenë më pjesë e sistemit të vjetër socialist shëndetësor, por të jenë pjesë e një ndërmarrjeje bashkëkohore, e cila do të jetë në tregun e shërbimeve konkurrente me shërbimet e sektorit privat.

Prandaj, menaxherët e këtyre institucioneve do të jenë shumë më të kujdesshëm dhe do të ketë llogaridhënie shumë më të madhe edhe për medikamentet që vijnë në institucione dhe duhet të mbërrijnë te pacientët.

Ata do të jenë shumë më të vëmendshëm që ato barna të mos keqpërdoren, e jo siç është situata tani ku praktikisht kontrolli është i mangët, nuk është i mjaftueshëm dhe për këtë arsye keqpërdorimi është shumë i lartë, sepse përgjegjësia për këtë nuk ekziston.

Lidhur me këtë çështje, askush deri më tani nuk e ka humbur një vend të punës apo diçka të tillë. Kjo do të ndryshojë në vitin tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Të gjithë ministrat e Shëndetësisë kanë premtuar se do të sjellin ndryshime në sistemin shëndetësor – njëri ndër ta jeni dhe ju – ndërsa sistemi shëndetësor ka mbetur në gjendje të njëjtë. Si do t’ia dilni?
FERID AGANI
Përmes ndryshimeve ligjore... Unë nuk di ndonjë ministër të Shëndetësisë, i cili ka marrë obligim që në 100-ditëshin e parë t’i nxjerrë tre ligje sistemore.

Unë e kam marrë këtë obligim dhe kam thënë se deri më 1 qershor do t’i nxjerrim dhe do t’i dërgojmë në Parlament tre ligjet kryesore sistemore, të cilat e shtrojnë rrugën e reformave në shëndetësi. Unë shpresoj se këto ligje do të miratohen në shtator, më së largu në tetor të këtij viti, në procedura parlamentare, e ndoshta edhe më herët.

Në momentin kur ligjet miratohen, dilemat hiqen dhe kemi të bëjmë vetëm me çështjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies në zbatimin e ligjit dhe asgjë tjetër.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG