Ndërlidhjet

logo-print
Shërbyesit shëndetësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë reaguar kundër vendimit që parasheh pagesa më të vogla për kujdestaritë.

Pagesat e mjekëve kujdestarë për muajin mars kanë rënë nga 17 euro në 11, ndërsa infermierët kanë marrë vetëm 4 euro dhe jo 11 siç ishte deri më tash.

Kryetari i Sindikatës së QKUK-së, Xhemail Selmani, shprehet:

“Konsiderojmë se kujdestaritë janë kalkuluar gabimisht në disfavor të stafit të QKUK-së. Në emergjencë kalkulimet janë bërë edhe për mjekët, çfarë është në kundërshtim me Ligjin e punës. Kërkojmë që të korrigjohen këto gabime dhe kujdestaritë të kthehen të paktën në nivelin e kaluar”.

Por, Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk bëhet fjalë për zvogëlim të pagave, por për një urdhëresë që e ka marrë drejtori ekzekutiv, në bazë të së cilës pagesa e kujdestarive tani do të bëhet në përputhje me Ligjin e punës.

“Para një muaji drejtori ka marrë një vendim, përmes të cilit pagesa e kujdestarive do të bëhet bazuar në nenin 56 të Ligjit të punës. Ai parasheh që të punësuarit që marrin pagë shtesë në përqindje të pagës bazë, të paguhen 20% në orë për kujdestari ndërsa 30% në orë për punë gjatë natës, po ashtu 30% në orë për punë jashtë orarit dhe 50% në orë gjatë festave”, shpjegon Fazliu.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se janë duke punuar në një udhëzim administrativ që do të shkojë në favor të stafit shëndetësor, në mënyrë që ky i fundit të mos dëmtohet në pagë. Ilir Tolaj, sekretar permanent në këtë institucion, jep më shumë shpjegime:

“Kalkulimi i punës gjatë festave, vikendeve, kujdestarive është duke u bërë sipas Ligjit të punës. Respektimi i Ligjit të punës ka nënkuptuar zvogëlim të pagesave për këtë punë. Ne jemi duke punuar në udhëzimin administrativ, i cili i rregullon specifikat e kësaj pune dhe ai do të jetë i gatshëm në dy javët e ardhshme”.

Deri në fuqizimin e këtij udhëzimi administrativ, Tolaj thotë se Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Klinike Universitare do të bëjnë një marrëveshje që kujdestaritë të kthehen në vlerën e përllogaritjes paraprake, në mënyrë që të mos dëmtohen punëtorët shëndetësorë.


LIGJI I PUNËS

1. Për punën më të gjatë se orari i plotë i punës, si dhe për punë në ditët e festave shtetërore dhe për punën e natës, i punësuari ka të drejtë në pagë shtesë, në pajtim me këtë ligj, Kontratën Kolektive dhe Kontratën e Punës.

2. Të punësuarit i takon paga shtesë në përqindje të pagës bazë, si më poshtë:

2.1. 20 % në orë për kujdestari;

2.2. 30 % në orë për punë gjatë natës;

2.3. 30 % në orë për punë jashtë orarit;

2.4. 50 % në orë për punë gjatë ditëve të festave;

2.5. 50 % në orë për punë gjatë fundjavës.

3. Pagesat shtesë për punë gjatë fundjavës, festave dhe ditëve të lira, sipas ligjit, e përjashtojnë njëra-tjetrën.

4. I punësuari mund të kërkojë nga punëdhënësi që në vend të pagës shtesë nga paragrafi 2. i këtij neni, kompensimi t’i bëhet me ditë pushimi.

5. Punëdhënësi mund të vendosë që një pjesë e punës jashtë orarit të kompensohet me ditë pushimi, në përputhje me përqindjet e parapara në paragrafin 2. të këtij neni. Kjo formë e kompensimit duhet të parashihet në Kontratën e Punës ose në Aktin e Brendshëm të kompanisë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG