Ndërlidhjet

Jeremiq: Kina e mbështet qëndrimin e Serbisë


Kina do ta mbështesë Serbinë në kërkesën e saj që Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ta autorizoj një hetim për dyshimet lidhur me trafikim të organeve nga ish pjesëtarët e UÇK-së në Kosovë, tha sot ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiq.

Këto akuza ishin paraqitur në raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, dhe në to përfshihej edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Pozicioni i Serbisë është forcuar substancialisht sot me faktin se qëndrimi ynë është i mbështetur nga Kina”, tha Vuk Jeremiq, pas takimit me ministrin e jashtëm kinez, Jang Jieçi i cili ka premtuar vazhdim të mbështetjes së “sovranitetit dhe integritetit territorial” të Serbisë.

“Ne plotësisht e kuptojmë shqetësimin e Serbisë lidhur me çështjen e Kosovës”, tha Jieçi dhe shtoi se “ne e mbështesim rolin e rëndësishëm në vazhdimësi të Këshillit të Sigurimit në zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.

Ministri kinez tha se Kina “ushqen miqësi të thellë” me Serbinë.

Zoti Jieçi vuri kurorë në vendin e ish Ambasadës së Kinës në Serbi, e cila aksidentalisht u bombardua gjatë sulmeve ajrore të NATO-s në vitin 1999, me të cilat përfundoi regjimi i Serbisë në Kosovë, raporton AP.
XS
SM
MD
LG