Ndërlidhjet

EUROPOL i shqetësuar për krimin shqipfolës


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Agjencia Policore e Bashkimit Evropian (EUROPOL) tha sot se heqja e regjimit të vizave për Ballkanin dhe vendet e Evropës Lindore, e po ashtu përfshirja e Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen, do të mund të shfrytëzoheshin nga bandat kriminale.

Në raportin e fundit të EUROPOL-it theksohet se zhvillimet në rajon i kanë kontribuar formimit të akseve të Ballkanit për trafikim në BE, ku përfshihen Ballkani Perëndimor dhe Evropa Juglindore.

“Grupet kriminale shqipfolëse, turke dhe ato nga ish-Bashkimi Sovjetik po synojnë t’i zgjerojnë interesat e tyre në BE. Ato mund ta shfrytëzojnë hyrjen e mundshme të Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen dhe heqjen e vizave nga ana e BE-së për shtetet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në këtë raport.

I njëjti thekson se pas zhvillimeve të fundit të grupeve kriminale mund të thuhet se është krijuar Aksi i Ballkanit që merret me trafikimin drejt BE-së.

Duke folur për trafikun e heroinës, raporti thekson se Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova janë lokacione të rëndësishme për mbajtjen dhe ripaketimin e kësaj droge.
Grupet kriminale turke dhe shqipfolëse mbeten kryesoret në trafikimin e heroinës drejt BE-së.

"Grupet kriminale turke dhe shqipfolëse mbeten kryesoret në trafikimin e heroinës drejt BE-së. Shqipëria e Kosova janë në mesin e furnizueseve kryesore me kanabis për vendet e rajonit, përfshirë Greqinë, Italinë, Slloveninë e Hungarinë", vijon raporti.

"Krimi i organizuar shqipfolës është i shtrirë në trafikun e drogave të ndryshme dhe llojeve të ndryshme të krimit. Brenda BE-së, grupet shqipfolëse janë aktive në trafikun e kokainës, heroinës, drogave sintetike dhe kanabisit”.

“Mundësitë financiare u kanë lejuar këtyre grupeve të veprojnë me grupe kriminale në vendin e prodhimit të drogave si dhe të identifikojnë mundësi të tjera kriminale. Disa nga të ardhurat raportohet të kenë shkuar dhe në mbështetje të ish-UÇK-së", thuhet në raportin e EUROPOL-it.

Një tjetër shqetësim për EUROPOL-in paraqesin raportet për prodhimin e metamfetaminës kristaline në Çeki nga një grup nga Ballkani Perëndimor. EURPOL-i thekson se Greqia po bëhet qendër e krimit të organizuar që merret me trafikimin e imigrantëve.
XS
SM
MD
LG