Ndërlidhjet

logo-print

S'do publikohen fotot e bin Ladenit të vrarë

  • RFE /RL

Presidenti Barak Obama

Presidenti Barak Obama

Në një intervistë për një emision televiziv amerikan, presidenti Barak Obama tha se testet e ADN-së nuk kanë lënë asnjë dyshim se personi i vrarë nga Forcat Speciale Amerikane, më 2 maj në Pakistan, është Osama bin Laden.

Presidenti amerikan tha se ai dhe ekipi i tij për siguri, përfshirë sekretarin e Mbrojtjes, Robert Gejts, dhe sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton, i kanë diskutuar pikat pro dhe kundër publikimit të fotografive të trupit të kryeterroristit, pasi është goditur në kokë.

Është arritur marrëveshja se rreziku i sigurisë kombëtare është shumë i lartë, tha Obama për të shtuar: “Ne nuk e paraqesim këtë çështje si trofe”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karnej, lexoi para gazetarëve përgjigjen e Obamës rreth dyshimeve që kanë disa njerëz në Pakistan rreth vdekjes së bin Ladenit.
Xhej Karnej
Nuk ka dyshim se bin Ladeni ka vdekur. Sigurisht, nuk ka dyshim as në mesin e anëtarëve të Al Kaidës se ai ka vdekur. Kështu, ne nuk besojmë se një fotografi do të ndryshojë diçka. Do të ketë njerëz që do e hedhin poshtë këtë. Fakti që ka rëndësi është se bin Ladeni nuk do të shihet duke ecur në këtë tokë më”, citoi Obamën zëdhënësi i tij, Karnej.

I njëjti tha se vendimi për mospublikim të fotografive përfshin edhe mospublikimin e një videoje të varrimit të bin Ladenit në det, që i është dhënë Obamës pak pas vdekjes së kryeterroristit.

Zëdhënësi i presidencës amerikane gjithashtu pohoi se qëndrimet fetare të bin Ladenit janë respektuar pas vdekjes së tij.
Respekti që i është treguar atij dhe trupit të tij, është shumë më i madh sesa respekti që Osama bin Laden ka treguar ndonjëherë për viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit.

Përpjekjet që janë bërë për t’i kryer një varrim siç duhej bin Ladenit, duke respektuar traditat islamike, janë të konsiderueshme. Gjithashtu do të thosha se respekti që i është treguar atij dhe trupit të tij, është shumë më i madh sesa respekti që Osama bin Laden ka treguar ndonjëherë për viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit apo viktimat e tjera”, tha Karnej.

Vendimi i Shtëpisë së Bardhë për të mos i publikuar fotografitë, mund të mos jetë fundi i debatit. Ekspertët e Ligjit për veprimin e lirisë së informacionit thonë se ndonjë gazetë mund ta përdorë këtë ligj për të kërkuar nxjerrjen e këtyre materialeve.

Zakonisht në SHBA, për materialet që nuk lejohen të përdoren për publik, bëhet një presion përmes Ligjit të veprimit të lirisë së informacionit.

Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë është bërë të njëjtën ditë që Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve, Erik Holder, u ka thënë anëtarëve të Kongresit se vrasja e bin Ladenit është legale. Bastisja, ka shtuar ai, “është e justifikuar si një veprim i vetëmbrojtjes kombëtare” kundër “një caku të jashtëligjshëm ushtarak”.

Të enjten, Obama do të vendosë një kurorë me lule në vendin ku janë kryer sulmet terroriste të 11 Shtatorit në Nju Jork.

Ai, siç njoftoi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, do të takohet me familjet e viktimave dhe do të bëjë respektin për ata që janë vrarë, mirëpo nuk do të mbajë fjalim, sepse “fuqia e këtij veprimi nuk kërkon fjalë”. (a.h.)

Lexoni edhe këtë:
Rasti për t’i dhënë fund “luftës”

Trego komentet

XS
SM
MD
LG