Ndërlidhjet

S'ka vullnet politik për konfiskim


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
“Kosova ka kapacitete të dobëta dhe të kufizuara ligjore e institucionale për të konfiskuar pronën e fituar në mënyrë të kundërligjshme. Mbetet shumë për t’u bërë në tejkalimin e status quo-s për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Kështu thanë të enjten drejtuesit e Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), gjatë publikimit të raportit “Konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme”.

Ariana Qosaj-Mustafa, drejtore në këtë institut, shpjegoi më shumë:

“Meqë korrupsioni i profilit të lartë në Kosovë po vazhdon, konfiskimi i pasurisë dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbeten sfidë e madhe që të arrihet drejtësia që duhet t’u ofrohet taksapaguesve kosovarë, për arsye se qytetarët e Kosovës janë ata, të cilët, faktikisht, e paguajnë pasurimin gjatë natës të këtyre njerëzve”.

Mes tjerash, në raportin e kësaj organizate thuhet se personat e përfshirë në aktivitete korruptive ose personat “e pasuruar brenda natës”, janë shndërruar në një brengë të madhe për ekonominë e vendit dhe menaxhimin e fondeve publike.

Zonja Qosaj-Mustafa theksoi se ka mungesë të rezultateve në këtë drejtim dhe se numri i dënimeve që jepen nga gjykatat është shumë i vogël. Sipas saj, edhe atëherë kur gjykatat kanë shpallur vendime në rastet e krimit të organizuar, konfiskimi i përfitimeve nga krimet nuk është urdhëruar asnjëherë nga gjyqtarë të Kosovës apo të EULEX-it, me gjithë faktin se korniza aktuale ligjore e lejon një gjë të tillë.

“Mungesa e vullnetit politik është ajo, e cila tregon që ne mendojmë të hartojmë ligje për parandalim të krimit të organizuar, ndërsa e kemi situatën evidente; nëse dilni vetëm në rrugët e Prishtinës, shihni vetura glamuroze që kushtojnë 60-70 mijë euro, ose shtëpi me qindra metra katrorë që po ndërtohen. Nga po vjen kjo shumë? Shihet qartë se ku është vullneti politik dhe në cilin drejtim po shkojmë ne”, theksoi zonja Qosja-Mustafa.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Qeverisë së Kosovës po i mungon vullneti i duhur për miratimin e një ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Duke pasur për bazë akuzat e rënda që ndeshim për korrupsion dhe ato për abuzimin me pronën publike dhe pasurinë publike, e gjithashtu duke pasur parasysh edhe faktin që këto akuza kryesisht rëndojnë mbi Qeverinë, unë jam i bindur që Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është e interesuar që të ketë një ligj të tillë, i cili do të mund t'i dëmtonte interesat e përfaqësuesve individualë të Qeverisë së Kosovës në këtë sistem”, u shpreh Arben Gashi.

Ndërkaq, drejtori i KIPRED-it, Krenar Gashi, deklaroi se praktikat e mira të vendeve të rajonit kanë treguar se bartja e përgjegjësisë për të dëshmuar pasurinë te pala e dyshuar, përkohësisht, është shumë më efikase dhe njëherësh e zvogëlon ngarkesën e punës së institucioneve për sundimin e ligjit.

Si shembull të mirë në qasjen ndaj konfiskimit të pasurisë së paligjshme, Gashi përmendi Shqipërinë, Italinë dhe Kroacinë.
Krenar Gashi

“Në rast se dikush në këto vende dënohet për krim të organizuar ose për korrupsion, me një vendim të plotfuqishëm të gjykatës, e gjithë pasuria e këtyre të dënuarve konsiderohet si e paligjshme përderisa ata nuk mund të ofrojnë dëshmi se pasurinë e kanë fituar në mënyrë të ligjshme. Ndërsa, te ne është e kundërta; gjithë pasurinë që ata e kanë, e konsiderojnë të ligjshme”
, theksoi Krenar Gashi.

Në raportin e KIPRED-it, thuhet se Agjencia Kundër Korrupsionit ka raportuar se 43 zyrtarë të lartë publikë në Kosovë kanë mospërputhje në të dhënat rreth deklarimit të të ardhurave dhe pasurisë së tyre në Agjencinë Kundër Korrupsion dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve para zgjedhjeve parlamentare të 2010-s.

Në mesin e përfundimeve dhe rekomandimeve të KIPRED-it, në këtë raport është edhe çështja e barrës së ofrimit të dëshmive.
XS
SM
MD
LG