Ndërlidhjet

Vizita komplikon dialogun


Borko Stefanoviq
Borko Stefanoviq
Një vizitë e mundshme e Borko Stefanoviqit në Kosovë, sipas analistëve, do të komplikonte rrjedhën e dialogut teknik ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do ta lejojë një vizitë të tillë. Por, analistët thonë se vizita do t’i vë në situatë të sikletshme institucionet e vendit.


Borko Stefanoviq ka paralajmëruar vizitë në Kosovë, siç ka thënë ai, për t’ia sqaruar opinionit kosovar pikëpamjen e Beogradit për situatën.

Një nismë e tillë e shefit të delegacionit serb, edhe pse e pranuar nga institucionet kosovare, nuk shihet mirë nga analistët kosovarë. Drejtori i Klubit për Politikë të Jashtme, Ylli Hoxha, e sheh këtë rast si një tentativë për të provokuar situatën.

“Këtë rast e shoh si imponim për të ardhur për të na sqaruar, sepse askush nuk e ka ftuar që të vijë dhe të na sqarojë. Besoj se qëndrimet e Beogradit janë të qarta. Po qe se ka një ftesë të tillë, ajo duhej të bëhej publike. Është më shumë një tentim për të vënë në siklet institucionet e Kosovës dhe praninë ndërkombëtare për të provokuar një reagim të pamatur. Sidoqoftë, konsideroj se institucionet e Kosovës për të satën herë po janë të papërgatitura për një fenomen që përsëritet tash e sa vjet”, thotë Hoxha për Radion Evropa e Lirë.

Stefanoviq ka thënë se ka ndërmend të vizitojë Prishtinën para raundit të katërt të bisedimeve. Ai ka deklaruar për mediat serbe se ka ndërmend të vizitojë Prishtinën për t'u takuar me ndonjërin nga "bashkëbiseduesit shqiptarë të Brukselit".

Stefanoviq ka thënë se me këtë rast do t’i vizitojë edhe serbët në veri të Kosovës dhe në jug të lumit Ibër. Analisti Belul Beqaj, parasheh komplikime në rrjedhën e dialogut, po qe se realizohet një vizitë e tillë.
Konsideroj se vizita e Stefanoviqit mund ta komplikojë situatën edhe ashtu të komplikuar...


“Konsideroj se vizita e Stefanoviqit mund ta komplikojë situatën edhe ashtu të komplikuar, sepse ne e kemi të qartë se çfarë kërkesash ka politika e Beogradit karshi situatës në veri dhe çështjeve të hapura në raportet Kosovë-Serbi".

"Prandaj, vetë prania e tij fizike, aq më tepër pretendimet të bëjë sqarime shtesë nga Beogradi për çështjet e hapura, mendoj se mund të ndezin një situatë që në pikëpamje latente ekziston një kohë të gjatë, mund të ndezin një situatë, përfshirë edhe mundësinë e ngecjes së dialogut të nisur mes Kosovës e Serbisë
”, vlerëson Beqaj.

Një ditë më parë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se do t’i jepet leja shefit të delegacionit serb, por me kusht që ai të përmbahet nga fjalori nxitës politik.

Ky kusht është vënë në mënyrë të vazhdueshme nga institucionet e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë, por edhe është shkelur vazhdimisht. Konfirmimi që i jepet nga ana e institucioneve një vizite të tillë, sipas Belul Beqajt, dëshmon se për Prishtinën vendosin të tjerët.

“Pranimi është vetëm se një dëshmi shtesë se zyrtarët me të lartë, përfshirë zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi, janë instrument i kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare dhe këta vetëm mbulojnë vendimet që i merr bashkësia ndërkombëtare”.


“Për vizitën e tij, krahas pranimit që i ka dhënë presidenti Tadiq, me siguri atë ia kanë dhënë edhe zyrtarët e bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa këta tanët i mbulojnë vendimet që dikush tjetër i ka marrë në emër të Kosovës dhe për Kosovën”
, thekson Beqaj.

Ndryshe, Policia e Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë kërkesë për të bërë përcjelljen e Stefanoviqit, meqë edhe data e vizitës së mundshme nuk dihet ende.
XS
SM
MD
LG