Ndërlidhjet

logo-print

Shtohen azilkërkuesit nga Serbia e Maqedonia

  • RFE /RL

Bashkimi Evropian

Bashkimi Evropian

Lejimi i udhëtimit pa viza për shtetasit e Serbisë dhe të Maqedonisë në zonën Shengen të Bashkimit Evropian, është vënë në pikëpyetje, pasi Belgjika dhe Suedia kanë shprehur shqetësime të reja lidhur me abuzimet e mundshme.

Të dyja vendet janë ankuar edhe në vitin 2010, se kanë pasur të bëjnë me një numër jashtëzakonisht të lartë të azilkërkuesve nga Serbia e Maqedonia, pas vendimit të Bashkimit Evropian për heqjen e regjimit të vizave për shtetasit e këtyre dy vendeve.

Ky problem është aktualizuar përsëri, pasi zyrtari i Belgjikës për çështje të imigrimit dhe azilit, Melhor Uothelet, i ka shkruar komisionares së BE-së për çështje të brendshme, Sesila Malstrom, duke kërkuar nga ajo “ndërmarrjen e masave përkatëse”, i tha DPA-së, Benoit Pitanc, zëdhënës i zyrtarit Uuthelet.
Numri i azilkërkuesve nga Serbia në muajin mars ka arritur në 188 e në prill 106, ndërsa i atyre nga Maqedonia 86, përkatësisht 99.

Sipas tij, numri i azilkërkuesve nga Serbia në muajin mars ka arritur në 188 e në prill 106, ndërsa i atyre nga Maqedonia 86, përkatësisht 99.

Gjatë periudhës kur vlente regjimi i vizave, ky numër ishte “30 deri në 40 kërkesa mujore”, tha Pitanc.

Zyrtarët suedezë në Bruksel kanë thënë se edhe Suedia ballafaqohet me probleme të ngjashme, veçanërisht me azilkërkuesit nga Serbia.

Besohet se shumica e azilkërkuesve nga Serbia janë romë dhe shqiptarë nga pjesa jugore, por po ashtu edhe nga Kosova, raporton DPA.

Këto informacione kanë shkaktuar shqetësime në Beograd, ndonëse Pitanc ka siguruar se Belgjika nuk do të kërkojë që Serbia të hiqet nga lista e vendeve me udhëtim të lirë për në Shengen.

“Nuk jemi ende atje, ne nuk i kërcënohemi askujt, ne vetëm po raportojmë se kemi problem të madh”, ka thënë ai.

Zyrtarët në Bruksel thonë se ka pak gjasë që azilkërkuesve nga këto dy vende t’iu jepet status i refugjatit. (f.b.)
XS
SM
MD
LG