Ndërlidhjet

logo-print

Uianrajt: Grupet shqipfolëse ndër më të rrezikshmet


Ndërtesa e EUROPOL-it në Hagë

Ndërtesa e EUROPOL-it në Hagë

"Grupet kriminale shqipfolëse janë ndër më të rrezikshmet në Evropë", thotë Rob Uianrajt, drejtor i EUROPOL-it, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Në raportin e fundit, EUROPOL-i flet për grupet kriminale shqipfolëse. Si erdhët deri te përdorimi i këtij termi? Çfarë do të thotë kjo për përbërjen e këtyre grupeve?

ROB UIANRAJT
Është një term teknik që ne e kemi përdorur në marrëveshje me të gjitha vendet anëtare dhe policitë përkatëse. Në terma konkretë, kjo do të thotë se bëhet fjalë për njerëz që e identifikojnë veten si shqiptarë, që kanë lidhje kulturore me Shqipërinë.

Këta janë kriminelë që vijnë nga Shqipëria apo vendet fqinje që flasin shqip, por që tani janë aktivë në shumicën e vendeve anëtare të BE-së.

RADIO EVROPA E LIRËË
A mund të bëni një renditje të grupeve kriminale në Evropë dhe çfarë vendi zënë grupet kriminale shqipfolëse në këtë kuadër?

ROB UIANRAJT
Nuk është kaq e lehtë të bëhet një gjë e tillë, pasi struktura kriminale në Evropë është shumë e organizuar. Në këtë kuadër kemi një mori grupesh kriminale që kanë prejardhje të ndryshme etnike apo shtetërore, që veprojnë në fusha të ndryshme të krimit të organizuar e që jo rrallë bashkëveprojnë.

Kemi të bëjmë me një situtatë dinamike dhe është shumë e vështirë të bëjmë një tabelë si në Ligën e Kampionëve për grupet më aktive.

Kemi identifikuar se grupet e krimit të organizuar që përfshijnë grupe kriminale shqipfolëse, janë aktive në 15 nga 27 vendet anëtare të BE-së. Kjo i bën ata relativisht aktivë, ndonëse unë nuk jam në gjendje të them nëse ata janë në mesin e 10 të parëve.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të na thoni konkretisht se në cilat vende janë aktivë?

ROB UIANRAJT
Në mesin e pesëmbëdhjetë vendeve që kanë raportuar për praninë e grupeve kriminale shqipfolëse përfshihen dhe Gjermania, Franca, Britania e Madhe.

E dimë nga kërkimet tona se grupet kriminale shqipfolëse janë aktive dhe në pjesë të tjera të botës, si në SHBA, Kanada, Australi.

Thënë shkurt, këto grupe janë aktive, por nuk janë të vetmet. Grupet shqipfolëse janë ndër më të rrezikshmet në Evropë, por nuk do t’i veçoja si kërcinimin e vetëm të madh që kemi momentalisht në Evropë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në raport shkruhet se disa nga të ardhurat e grupeve kriminale kanë shkuar tek organizata që kanë lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. E keni fjalën për mbështetje gjatë kohës së luftës, apo për organizata aktuale që kanë lidhje me strukturat e ish-UÇK-së?

ROB UIANRAJT
Bëhet fjalë për këtë të dytën, pra për lidhjet që kemi identifikuar mes grupeve kriminale shqiptare që janë të lidhura me ish-pjesëtarë të UÇK-së.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të jeni më konkret, për çfarë lloj krimesh flasim këtu?

ROB UIANRAJT
Mendoj se kemi identifikuar lidhje ndërmjet njerëzve që kanë qenë aktivë gjatë kohës së luftërave në Ballkan dhe krimit të organizuar. Kjo nuk është befasi për ne dhe nuk është karkateristikë e vetëm një grupimi të caktuar.

Pjesëtarë aktivë të rrjeteve të mëdha kriminale kanë qenë të përfshirë në aktivitete të ndryshme me grupet kriminale shqipfolëse. Këto të fundit janë aktive në shumë sektorë të krimit, por në veçanti në trafikun e njerëzve në gjithë Evropën dhe në trafikun e kokainës.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni informacione që i lidhin grupet shqipfolëse të krimit me trafikun e organeve, pasi së fundi kemi pasur akuza në këtë drejtim?

ROB UIANRAJT
Nuk kemi asnjë informacion specifik për lidhje të tilla.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni folur në raport pë rrezikun që paraqet liberalizimi i vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe heqja e mundshme e regjimit të vizave për Ukrainën dhe Moldavinë. A do t’i bëni ndonjë rekomandim BE-së kundër procesit të liberalizimit të vizave?

ROB UIANRAJT
Jo, nuk do të bëjmë rekomandime të tilla, se ne nuk jemi politikëbërës. U takon ministrave dhe politikëbërësve në Bruksel të bëjnë rekomandime të tilla.

Ajo që ne kemi bërë është vlerësimi objektiv i rrezikut nga krimi i organizuar në Evropë. Ne e kemi bërë këtë bazuar në mbi 7000 faqe kontribut të autoriteteve policore nga të gjitha vendet anëtare dhe në analizat tona në një periudhë dyvjeçare.

Kemi hartuar vlerësimin më real të kërcënimit që paraqet krimi i organizuar në Evropë. Nuk është detyra jonë të bëjmë rekomandime për procesin e liberalizimit të vizave dhe përfshirjen e vendeve në zonën Shengen.

Megjithatë, dua të them se është e rëndësishme që të gjitha vendet në BE dhe jashtë saj të jenë të fokusuara në luftën kundër krimit të organizuar. Për këtë na duhen qeverisje të mira dhe polici të fuqishme në të gjitha këto vende.

Në Shqipëri jemi shumë të kënaqur nga bashkëpunimi me autoritetet. Kemi marrëveshje dypalëshe me Shqipërinë dhe kemi një kordinues nga Shqipëria në EUROPOL, që na ndihmon në bashkërendimin e përditshëm të punës.

Besoj se po shohim një përgjigje të fuqishme të policisë në Shqipëri, por jo vetëm ndaj këtij problemi. Me gjithë përpjekjet duhet thënë se krimi i organizuar është problem dhe duhet të jemi të fokusuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke u ndalur sërish te vizat - ju flsini për rrezikun e mundshëm nga heqja e vizave për Shqipërinë e Bosnjën apo vendet e tjera. Përvoja e këtyre viteve në terren tregon se krimi i organizuar kurrë nuk ka pasur probleme për t'u pajisur me viza... A nuk kemi të bëjmë me kontradiktë?

ROB UIANRAJT
E keni parafrazuar gabim, pasi ne nuk flasim për rrezik në raport. Ne thjesht kemi thënë se zgjerimi i zonës Shëngen apo liberalizimi i vizave mund të ofrojë mundësi për krimin e organizuar. Në terma të thjeshtë, nëse heq një kufi, kjo do të thotë një problem më pak për krimin e organizuar.

Nga ana tjetër, jam dakord me atë që thatë se grupet e mirë-organizuara të krimit nuk pengohen nga kontrollet kufitare apo regjimi i vizave. Është e rëndësishme që të gjitha detajet t'i vëmë në kuadër të një pamjeje të baraspeshuar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG