Ndërlidhjet

Maqedoni: Fushatë me platformë apo me të palara?


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Kreu i misionit të ODIHR-it, i cili do të mbikëqyrë procesin zgjedhor në Maqedoni, Xhulian Pel Jeits, tha se pesë qershori paraqet një sprovë për nivelin e pjekurisë dhe reflektimin e demokracisë së vendit.

Jeits theksoi se numri i vëzhguesve është i njëjtë me atë në zgjedhjet paraprake të 2005-s. Në procesin zgjedhor të 5 qershorit do të përfshihen 300 vëzhgues ndërkombëtarë, si dhe 20 ekspertë, të cilët do të ndjekin procesin në një periudhë më të gjatë para dhe pas organizimit të zgjedhjeve.

”Nuk presim të shfaqen probleme, të cilat paraprakisht ishin apostrofuar si vërejtje që duhet mënjanuar gjatë 2005-s, të përfshira edhe në raportin e fundit të OSBE-së. Thjesht, kam besim në kapacitetet demokratike të institucioneve, të cilat janë të përfshira në procesin zgjedhor, ngase ne, të gjithë bashkë mund të kontribuojmë për zgjedhje fer dhe demokratike”, tha Jets.

Por, analistët politikë thanë se ka pak hapësirë për të shpresuar se zgjedhjet do të kalojnë pa incidente duke parë atmosferën e tensionuar parazgjedhore.

Partitë politike edhe në këto zgjedhje nuk ofrojnë ide konkrete për zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe atyre politike që prekin qytetarët e Maqedonisë, theksoi Artan Sadiku, analist, duke shtuar se po ky sterilitet i ideve shkakton dhe acarimin e raporteve mes partive në fushatë.

”Partitë politike sot e kanë më lehtë të acarojnë fjalorin me njëra-tjetrën, me çka i bëhet një dëm shumë i madh kulturës politike në Maqedoni, mu për faktin se i tërë dialogu dhe komunikimi që duhet të zhvillohet nga ana e partive politike, duke transmetuar mesazhin politik te qytetarët, për zhvillimin dhe zgjidhjen e çështjeve të ndryshme, në mungesë të ideve konkrete, ky dialog zhvillohet në formë të akuzave mes partive politike. Ndërkohë, që qytetarët mbeten anash, si spektatorë të shohin këtë spektakël që disa vite me radhë e përgatisin partitë politike gjatë zgjedhjeve”
, vlerësoi Sadiku.

Nga ana tjetër, komunikologia maqedonase, Vesna Shopar, tha se fushata zgjedhore, edhe pse jo zyrtarisht, lufta, siç e quajti ajo, “e nxjerrjes së sa më shumë të palarave të oponentëve politikë”, ka filluar.
Kjo, theksoi Shopar, do ta dëmtojë dhe do ta rrënojë edhe më shumë imazhin e vendit për mungesë të kapacitetit demokratik.

“Për fat të keq, edhe në këto zgjedhje përsëritet praktika e së kaluarës, ku elektoratit nuk i prezantohet platforma politike, por nxitja e kundërshtarit. Them kundërshtarit dhe jo oponentit politik, sepse kështu sillen udhëheqësit politikë në dëm të interesave të qytetarëve dhe shtetit, në përgjithësi”,
u shpreh Shopar.
XS
SM
MD
LG