Ndërlidhjet

Debati për shërbimet informative sekrete në Kosovë po intensifikohet gjithnjë e më shumë.

Ekspertët e çështjeve të sigurisë konsiderojnë se ky diskutim, i nxitur nga përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Kosovës, nuk do të ketë ndonjë rezultat. Nuredin Ibishi e quan humbje kohe debatin për tema të tilla.

“...sepse, ato (shërbime) nuk kanë pasur një sistem të qëndrueshëm në kuptimin e ligjit, as ndonjë udhëzim që ka përcaktuar kompetencat e tyre. Ato kanë qenë për interesa të ngushta partiake. Tash, kur flasim për diçka që është e kaluar, vështirë se mund të dihet se cila ka qenë veprimtaria e tyre dhe me çka janë marrë ato. Përgjigjja do të jetë e paqartë”, thotë Ibishi.

Sipas tij, gjatë luftës dhe pas përfundimit të saj, në Kosovë janë formuar disa shërbime informative, të afërta me partitë kryesore politike në vend.

Dy kanë qenë më të mëdhatë: në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka qenë ISPO (Sigurimi i Atdheut) dhe SHIK-u ka qenë në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës. Kanë pasur me siguri edhe partitë e tjera, si Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por ato nuk kanë pas një nam sikur këto”, thotë Ibishi, i cili dikur ka qenë një nga zyrtarët më të lartë të Shërbimit Policor të Kosovës.

Debati për ish-shërbimet informative kosovare nuk është dashur të hapet në këtë kohë, thotë drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Ramadan Qehaja. Sipas tij, vendi ka shumë çështje të tjera prioritare dhe kërkimet për veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Kosovës nuk do të jenë frytdhënëse.

Ramadan Qehaja
“Mendoj se nuk do të ketë rezultate të pritshme - aq më tepër që Kuvendi nuk është organ, i cili bën hetime. As grupet punuese, të cilat do të caktoheshin eventualisht për të bërë hulumtime, nuk mund të hyjnë në thelb të problemeve. Janë organet e drejtësisë, të hetuesisë, prokuroritë e të tjera, që duhet të merren me ata njerëz, të cilët kanë punuar dhe prodhuar krime të ndryshme në Kosovë. Prandaj, Kuvendi në ketë drejtim nuk do të ketë rezultat”,
thekson Qehaja.

Partitë politike akuzojnë njëra-tjetrën se përmes shërbimeve sekrete, janë përfshirë në veprime kriminale. Disa ligjvënës kosovarë tashmë kanë pranuar haptas se kanë qenë anëtarë të Shërbimit Informativ të Kosovës, që është parë si organizatë e afërt me Partinë Demokratike të Kosovës.

Disa deputetë të opozitës shprehin bindjen se SHIK-u funksionon ende. Lidhur me këtë, Qehaja shprehet:

“Ata njerëz, të cilët kanë punuar dhe vepruar qoftë në SHIK, qoftë në Sigurimin e Atdheut, qoftë në një shërbim tjetër, ata janë këtu, punojnë dhe veprojnë. Por, tash nuk mund ta dimë nëse janë aktivë aq sa kanë qenë përpara, apo në mënyra më të ndryshme, më të hapura... Kjo është vështirë të dihet, por ata janë këtu në institucione, në organizata të ndryshme, janë prezentë”.

Sipas ekspertëve, shërbimet e fshehta informative kanë shkaktuar fjalor tensionues, për shkak të mosfunksionimit të sundimit të ligjit dhe vonesave në formimin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës - shërbimi i vetëm legjitim në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG