Ndërlidhjet

logo-print

Serbët e Kosovës presin sqarime nga Stefanoviqi


Graçanicë (Foto nga arkivi)

Graçanicë (Foto nga arkivi)

Paralajmërimi i shefit të ekipit serb në dialogun Kosovë-Serbi, Borko Stefanoviq, se do t’i vizitojë serbët e Kosovës, përshëndetet nga politikanët serbë të vendit. Por, ata shprehin vlerësime të ndryshme lidhur me takimin eventual të Stefanoviqit me krerët institucionalë të Kosovës gjatë kësaj vizite.


Politikanët serbë të Kosovës vlerësojnë se vizita eventuale në Kosovë e shefit të ekipit serb në dialogun Kosovë-Serbi, Borko Stefanoviq, do të jetë pozitive, pasi që ai ka paralajmëruar se do të takohet me serbët në veri dhe në jug të lumit Ibër.

Por, ata shprehin pikëvështrime të ndryshme lidhur me paralajmërimet e Stefanoviqit, i cili ka thënë se do të takohet edhe me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Millan Ivanoviq, nga Këshilli Kombëtar Serb në veri të Kosovës, thotë se është koha e fundit që zyrtarët serbë të vijnë dhe të takohen me serbët e Kosovës, për t’u konsultuar me ta lidhur me, siç tha ai, çështjet që i përkasin kësaj popullate.

Por, ai kundërshton takimin eventual të Stefanoviqit me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.
Millan Ivanoviq

“Ka qenë koha që të vijë në Kosovë shefi i ekipit negociator, Borko Stefanoviq, sepse zgjidhja e kësaj çështjeje nuk mund të ndodhë pa pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës, të cilëve ky problem u përket më së shumti. Por, sa i përket bisedimeve me shqiptarët në institucionet e Kosovës, Këshilli Kombëtar Serb dhe unë personalisht jemi kundër tyre dhe kundër dialogut të konceptuar në këtë mënyrë”
, thotë Ivanoviq.

Ndërkaq, Dragisha Kërstoviq, politikan serb nga Graçanica, vlerëson se vizita dhe takimet eventuale të Stefanoviqit me serbët, por edhe me udhëheqësit e institucioneve në Kosovë, janë të domosdoshme.

Nisur nga kjo, sipas tij, është për t’u çmuar mbështetja që kësaj vizite i jep kreu i Serbisë, por edhe leja, të cilën autoritetet e Kosovës e kanë premtuar për vizitën e Stefanoviqit.
Ekziston nevoja që shefi i ekipit negociator të Beogradit të takohet me serbët që jetojnë në jug dhe në veri të lumit Ibër, por edhe me përfaqësuesit e pushtetit në Prishtinë.


“Ekziston nevoja që shefi i ekipit negociator të Beogradit të takohet me serbët që jetojnë në jug dhe në veri të lumit Ibër, por edhe me përfaqësuesit e pushtetit në Prishtinë. Ata janë faktorë relevantë në gjithë këtë situatë. Se si do të zhvillohen gjërat pastaj, kjo është pikëpyetje e madhe, por për çdo rast, është mirë që po bëhet një strategji e tillë. Mendoj se kjo është një lëvizje e mirë politike e të gjitha palëve dhe se më në fund po fitohet një politikë e pjekur, si dhe po hapet rruga e vërtetë”, thotë Kërstoviq.

Të dy këta politikanë serbë vlerësojnë se takimi eventual në Prishtinë, i Stefanoviqit me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, do të rezultonte një varg indikacionesh në të ardhmen në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Ivanoviq shpreh mendimin se një vizitë e tillë do të kishte për pasojë, siç thotë ai, faktorizimin e institucioneve të Kosovës.

Në njëfarë mënyre kjo e prejudikon statusin e Kosovës, gjegjësisht rolin e palës shqiptare.
“Mendoj që Borko Stefanoviq me këtë i jep kredibilitet palës tjetër dhe praktikisht ua pranon në një mënyrë rolin e partnerit, gjë që çon drejt pranimit se ata janë të barabartë. Në njëfarë mënyre kjo e prejudikon statusin e Kosovës, gjegjësisht rolin e palës shqiptare”
, thekson Ivanoviq.

Por, Kërstoviq vlerëson se takimi eventual i Stefanoviqit me krerët institucionalë të Kosovës, do të qartësonte shumë gjëra.

“Kjo do të sqaronte se sa përgjithësisht mund të pritet nga bisedimet dhe a do të rezultojnë ato në fund pozitivisht. Do të thotë, pas kësaj, kjo do të mund të dihej. Do të mund të dihen edhe shumë gjëra, për shembull: ku janë problemet, cilat janë vijat e kuqe, çfarë mundet dhe çka përfundimisht nuk mundet të nxirret nga e gjithë kjo, si dhe cila do të jetë vijimësia dhe rezultati përfundimtar i bisedimeve”, shprehet Kërstoviq.

Sidoqoftë, shefi i ekipit serb të bisedimeve Borko Stefanoviq, ka deklaruar se vizita eventuale e tij në Kosovë do të bëhej para raundit të ardhshëm të bisedimeve, në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi, i cili pritet të ndodhë kah mesi i këtij muaji.

Lexoni edhe këtë:
Vizita komplikon dialogun
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG