Ndërlidhjet

Emërimi i një përfaqësuesi të përkohshëm të Bashkimit Evropian për Kosovën, në Prishtinë shihet si rrjedhojë e dilemave dhe hezitimeve që ka në Bruksel për Kosovën. Zyrtarë të Qeverisë në Prishtinë ftojnë BE-në që të rrisë shkallën e përfaqësimit në Kosovë, duke kërkuar që perspektiva evropiane të jetë bazë e politikës së BE-së në raport me Kosovën dhe jo politikat e shteteve të caktuara anëtare.


Bashkimi Evropian do të duhej të fuqizonte rolin e vet në Kosovë, thonë zyrtarë të Qeverisë. Sipas tyre, Kosova ka nevojë për një qartësi të pozicionit të BE-së në raport me shtetin e Kosovës.

Caktimi i një përfaqësuesi të përkohshëm për Kosovën nga ana e BE-së, në Prishtinë shihet si një zgjidhje konsensusi që ishte e domosdoshme për momentin.

E, për të ardhmen, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se BE-ja do të duhej që të rriste shkallën e përfaqësimit dhe në vend të një zyre ndërlidhëse që ka sot në Kosovë, të vendosë një mision siç ka bërë edhe në vendet tjera.

Hajredin Kuçi

“Mendoj që BE-ja duhet ta mendojë shkallën e përfaqësimit më të lartë sesa që e ka pasur deri më tani. Nëse e ka pasur një zyre ndërlidhëse, them se tash duhet të mendojë që ta bëjë një mision çfarë e ka edhe në vendet e tjera. Këtu, me siguri, që ka dilema në mbështetje të anëtarëve të BE-së, por ajo që mund të themi është se BE-ja nuk ka dilema për perspektivën evropiane të Kosovës dhe mbi këtë bazë duhet ta shohë misionin e saj në Kosovë dhe jo mbi bazën e politikave të jashtme të shteteve veç e veç që janë anëtare të BE-së”,
thotë Kuçi.

Zëvendëskryeministri Kuçi thotë se Brukseli ka nevojë që t’i heqë dilemat që i ka në raport me Kosovën në mënyrë që t’i mundësojë shtetit më të ri të ecë përpara në proceset integruese dhe kontraktuese me BE-në dhe vendet anëtare.

“Ajo që mund të them është që BE-ja ka nevojë që pengesat politike t’i heqë në raport me Kosovën, ndërsa pengesat apo kushtet tjera Kosova duhet t’i plotësojë përballë BE-së”
, thekson Kuçi.

Ndërkohë, analisti Driton Lajçi thotë se BE-ja duhet të ketë një qëndrim të rrumbullakuar në raport me Kosovën dhe pavarësinë e saj, përfshirë edhe vendet që nuk e kanë njohur atë si shtet. Zgjidhjet e përkohshme për Kosovën, përfshirë edhe caktimin e një përfaqësuesi të përkohshëm, sipas Lajçit, janë produkt i hezitimeve dhe dilemave brenda BE-së.
BE-ja duhet të jetë më pragmatike, më praktike dhe t’i heqë pengesat politike, të cilat ndikojnë në stagnimin e zhvillimit të Kosovës dhe ecjes së saj drejt integrimit në BE.


“BE-ja duhet të jetë më pragmatike, më praktike dhe t’i heqë pengesat politike, të cilat ndikojnë në stagnimin e zhvillimit të Kosovës dhe ecjes së saj drejt integrimit në BE. Mendoj se kjo zgjedhje e përkohshme duhet të përfundojë sa më shpejt dhe BE-ja të orientohet drejt një zgjidhjeje të përhershme në raport me Kosovën”
, vlerëson Lajçi.

Sidoqoftë, analisti Driton Lajçi mendon se tash për tash është mirë që në BE, megjithatë ruhet një konsensus për Kosovën, pasi që hedhja eventuale e vendimeve në votim, sipas tij, do të mund të prodhonte edhe rezultate jo të favorshme për Kosovën.

“Çështja e Kosovës në raport me BE-në është më tepër çështje e konsensusit sesa e vendimeve. Por, mendoj se është më mirë të ketë konsensus mes vendeve të BE-së, sesa të shkohet në vendime me votime tjera, nga të cilat mund të dalin rezultate të papritura dhe të mos jenë në dobi të askujt”
, shprehet Lajçi.

Bashkimi Evropian është një ndër investitorët më të mëdhenj në Kosovë dhe se që nga mbarimi i luftës ka ruajtur në forma të ndryshme një përfaqësim të përhershëm. Por, nga shpallja e pavarësisë, BE-ja nuk ka një pozicion të qartë në raport me shtetin e Kosovës për shkak të mosnjohjes së pavarësisë nga pesë vende anëtare.

Lexoni edhe këtë:
Vakuumi evropian në Kosovë
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG