Ndërlidhjet

Detaje shtesë për sulmin ndaj bin Ladenit

  • RFE /RL

Abotabad, 6 maj 2011

Abotabad, 6 maj 2011

Në Shtetet e Bashkuara dhe në Pakistan kanë filluar të bëhen publike gjithnjë e më shumë informata lidhur me vrasjen e Osama bin Ladenit nga forcat amerikane.

Zyrtarët amerikanë tash thonë se ishte mbikëqyrja që CIA i bënte nga një shtëpi e sigurt kompleksit të Osama bin Ladenit në Abotabad, Pakistan, ajo që çoi në vrasjen e tij nga komandot amerikane.

Ky është zbulimi më i ri në vazhdën e detajeve lidhur me vërsuljen e 2 majit, që ndihmon të krijohet pamje më e gjerë për sulmin e njësitit special të marinës amerikane.

Të cituar nga gazetat “New York Times” dhe “Washington Post”, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara kanë thënë se CIA kishte siguruar një shtëpi, pasi në gushtin e kaluar u zbulua vendndodhja e bin Ladenit.

Raportet thonë se oficerët e CIA-s kaluan muaj të tërë duke mbikëqyrur strehimoren e kreut të Al Kaidës, duke i fotografuar banorët dhe vizitorët në afërsi. Shtëpia e marrë me qira u bë bazë për grumbullimin e inteligjencës, kështu që CIA i kërkoi Kongresit të ndajë dhjetëra miliona dollarë për të financuar operacionin.

Duke shikuar nga xhamat e errësuar, oficerët e CIA-s përdorën kamera dhe thjerrëza speciale për ta studiuar kompleksin. Ata gjithashtu përdorën pajisje përgjuese për të regjistruar zërat nga shtëpia dhe bisedat me telefona celularë, ndërsa përmes satelitit përpiqeshin të zbulojnë ndonjë tunel të nëndheshëm.

Të enjten, ushtria e Pakistanit e bëri prononcimin e parë për vërsuljen e fshehtë amerikane. Deklarata u bë pasi kreu i armatës, Ashfak Kajani, u takua me 12 gjeneralë dhe kërkoi reduktimin e trupave amerikane në Pakistan në “minimumin e nevojshëm”.

Ai po ashtu u kërcënua se Islamabadi do të ndalë bashkëpunimin kundër terrorizmit me Shtetet e Bashkuara, nëse Shtetet e Bashkuara do të ndërmerrnin ndonjë sulm të njëanshëm në territorin pakistanez.

Kajani inicioi hetime për të përcaktuar se si vërsulja amerikane u krye aq thellë, 50 km në veri të Islamabadit, pa u detektuar nga forcat e mbrojtjes.

Një shpjegim i mundshëm është zbulimi se helikopterët e përdorur mund të kenë qenë të padukshëm për radarin, versione që zakonisht përdoren nga ekipet komando.

Vite me radhë, Islamabadi i ka mohuar raportet dhe pohimet se bin Ladeni fshihet në territorin e Pakistanit.

Në Peshauar, aktivistët pakistanezë brohorasin slogane kundër Shteteve të Bashkuara, 6 maj 2011.
Deklarata e së enjtes nga ushtria pakistaneze i pranon “mangësitë në zhvillimin e inteligjencës për praninë e Osama bin Ladenit në Pakistan”.

Por, ajo thekson se Shërbimi Pakistanez i Inteligjencës, ISI, ka arrestuar apo ka vrarë rreth 100 terroristë të Al Kaidës dhe bashkëpunëtorë të tyre, me ose pa bashkëpunimin e CIA-s.

Deklarata thotë se Pakistani ia ka dhënë CIA-s informatat e para për vendndodhjen e bin Ladenit dhe se Shtetet e Bashkuara e kanë zhvilluar më tej këtë inteligjencë dhe nuk e kanë ndarë me shërbimin pakistanez, që “është në kundërshtim me praktikën ndërmjet dy shërbimeve”.

Ndërkohë, një zyrtar i kundërzbulimit pakistanez tha se njëra nga tri gratë që jetonte me bin Ladenin, u ka thënë hetuesve pakistanezë se ajo kishte qëndruar gjashtë vjet në katet e epërme të strehimores.

Gruaja e identifikuar si Amal Ahmed Abdulfatah nga Jemeni dhe dy gratë tjera të bin Ladenit po hetohen në Pakistan, ku u paraburgosën pas vërsuljes amerikane.
Autoritetet e Pakistanit mbajnë edhe tetë apo nëntë fëmijë që u gjetën në kompleksin, pasi u larguan komandot amerikane.

Deklaratat e grave pritet të tregojnë se si e ka kaluar kohën bin Ladeni në strehimore dhe si ka shmangur kapjen. Me deklaratat kundërthënëse dhe jo të plota nga zyrtarët amerikanë, dëshmitë e grave mund të japin detaje shtesë për vërsuljen.

Zyrtarët pakistanezë kanë cituar gratë dhe fëmijët të kenë thënë se bin Ladeni dhe bashkëpunëtorët e tij nuk kanë bërë ndonjë rezistencë të madhe kur komandot amerikane kanë hyrë në kompleks, pjesërisht për shkak se amerikanët kishin hedhur granata çekuilibruese dhe i kishin çorientuar.

Autoritetet e Pakistanit kanë gjetur një kallashnikov AK-47, një pistoletë që i përkiste kompleksit dhe provë se të paktën një plumb ishte shkrepur nga automatiku.

Kjo nuk përkon me deklaratën më të re të zyrtarëve amerikanë, të cilët tash thonë se njëri nga pesë të vrarët në vërsulje ishte i armatosur dhe hapi zjarr.

Ky version i vërsuljes dallon nga historia fillestare e shkëmbim-zjarrit intensiv e të gjatë, që u dha nga Shtëpia e Bardhë dhe të tjerët në administratën e presidentit Barak Obama.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thonë se përveç bin Ladenit u vranë katër vetë, përfshirë njërin nga djemtë e tij dhe Abu Ahmed al-Kuvajti, njëri nga korrierët më të besueshëm të bin Ladenit, i cili ishte identifikuar nga fqinjët si Arshad Kan dhe mendohet se ishte kreu i shtëpisë.

Ndërkohë, zyrtarët amerikanë i kanë thënë gazetës “New York Times” se inteligjenca e grumbulluar nga dosjet e kompjuterit dhe dokumentet e gjetura tregojnë se bin Ladeni për vite të tëra kishte orkestruar sulme të Al Kaidës nga qyteti pakistanez.

Ata gjithashtu pohojnë se dokumentet tregojnë që Al Kaida mund të ketë planifikuar sulme në hekurudhat në Shtetet e Bashkuara, në 10-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001.

Departamenti për Sigurinë e Atdheut tha se nuk ka informata për ndonjë kërcënim të menjëhershëm.

Islamabadi ka qenë thellësisht i turpëruar nga fakti se njëri nga terroristët më të kërkuar në botë ka qenë në gjendje të ndërtojë strehimore afër Akademisë Ushtarake të Pakistanit, pranë shtëpive të shumë gjeneralëve në pension.

Një gazetë pakistaneze e krahasoi përçmimin me pranimin në vitin 2004 se kryeshkencëtari bërthamor, Abdul Kadir Kan, i kishte shitur sekretet bërthamore të vendit.

Vendndodhja e kompleksit të bin Ladenit ka shkaktuar zemërim te shumë amerikanë, të cilët i akuzojnë zyrtarët pakistanezë se qëllimisht i kanë dhënë strehim liderit të Al Kaidës dhe kanë gënjyer rreth bashkëpunimit të Islamabadit në luftën kundër terrorizmit.

Kjo e nxiti ministrin e Jashtëm, Salman Bashir, të bëjë mohimin formal.

Është e lehtë të thuash se Shërbimi ynë i Inteligjencës, ISI, dhe elemente brenda qeverisë kanë pasur marrëveshje të fshehtë me Al Kaidën. Kjo është hipotezë e pavërtetë dhe akuzë false. Ajo nuk mund të jetë e vlefshme në asnjë mënyrë”, tha Bashir.

Dy ligjvënës amerikanë i kanë bërë thirrje Uashingtonit që t’ia ndalë ndihmën Pakistanit dhe t’i japë fund bashkëpunimit strategjik të Amerikës me Islamabadin. (v.p.)

XS
SM
MD
LG