Ndërlidhjet

Siri: Tanket hynë në qytetin Banias



Armata e Sirisë është vërsulur në qytetin e Banias me tanke gjatë natës, duke e sulmuar zonën që e sfidon pushtetin e presidentit Bashar al-Asad.

Aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se njësitet hynë në qytet nga disa drejtime.

Rrjeti elektrik dhe telekomunikimet janë ndërprerë në pjesën jugore të qytetit mesdhetar, i cili është bastion i kryengritësve.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë do të ndërmarrin "hapa shtesë" kundër regjimit të Sirisë nëse forcat siriane të sigurisë nuk pushojnë së vrari dhe ngacmuari protestuesit pro reformatorë.

Deklarata i pasoi raportet se të paktën 26 vetë u vranë dje nga forcat e sigurisë në shtypjen e dhunshme të demonstruesve që kërkojnë largimin e regjimit të presidentit Bashar al-Asad.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhei Karnei tha se "SHBA besojnë se aksionet e dënueshme të Sirisë ndaj njerëzve të vet kërkojnë përgjigje të ashpër ndërkombëtare".

Dje BE-ja u vendosi sanksione zyrtarëve të Sirisë, që janë përgjegjës për abuzimin e të drejtave të njeriut.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se më shumë se 580 civilë janë vrarë nga forcat e sigurisë dhe mijëra njerëz janë plagosur apo arrestuar gjatë shtatë javëve të demonstratave kundër regjimit sirian.
XS
SM
MD
LG