Ndërlidhjet

Një dialog me shumë pikëpyetje


Bisedimet Prishtinë - Beograd në Bruksel...
Bisedimet Prishtinë - Beograd në Bruksel...
Në raundin e katërt të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të zhvillohet kah mesi i këtij muaji, pritet të diskutohet për çështjen e të pagjeturve, trashëgiminë kulturore, kthimin e eksponateve arkeologjike dhe etnologjike, bëjnë të ditur përfaqësues të delegacionit të Kosovës.

Por marrëveshje, sipas zëvendës kryeministres Edita Tahiri, pritet të arrihet mbi çështje, për të cilat është diskutuar deri tash.

“Në takimin e radhës që mbahet më 17 dhe 18 maj, disa nga çështjet që janë hapur, siç janë energjia, telekomunikacioni dhe lëvizja e lirë, mund të përparojnë procesin te një marrëveshje parimore pro, e cila ka ardhur si rezultat i bisedave paraprake, por edhe i angazhimit të BE-së, edhe vetë zotit Kuper që të ofrojë një zgjidhje evropiane për këto çështje”
, tha Tahiri.

Ajo tha se tashmë autoritetet kosovare kanë marrë qëndrimet e BE-së dhe pikëpamjet e tyre se si i shohin zgjidhjet.

Tahiri tha, po ashtu, se zgjidhja e çështjeve të diskutuara do të bazohet edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila në esencë mbështetet në parimet euro-atlantike.

Kryesuesja e delegacionit të Kosovës thotë se pala kosovare mund të kontribuojë për zgjidhjen ose marrëveshjet eventuale.

“Për sa i takon çështjes së energjisë, baza e zgjidhjes është te Traktati i Athinës për energji dhe praktikisht Kosova është anëtare e komunitetit për energji të Athinës. Ndërsa për çështjen e telekomunikacionit, parimet themelore të BE-së, bazohen në liberalizimin e tregut të telekomunikacionit, si dhe ligjeve të BE-së për telekomunikacion. Kosova, siç e dini, që nga përfundimi i luftës ka bërë harmonizimin e ligjeve me Acquis Communautaire”.

“Lidhur me lëvizjen e lirë të qytetarëve, ne kemi paraqitur propozimin që mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në parimin e reciprocitetit midis dy vendeve për lëvizjen e lirë dhe parimeve evropiane. Mbi këto parime janë edhe angazhimet tona për gjetjen e zgjidhjes”,
sqaroi Tahiri.
Dialogu me Serbinë shkaktoi përplasje pikëpamjesh politike të pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kërkuan ndërprerjen e dialogut, kurse disa deputetë të tjerë thanë se është e mundur të arrihet ndonjë marrëveshje.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, aktualisht deputet në Kuvend, nga radhët e LDK-së, tha se çdo marrëveshje e arritur gjatë këtij dialogu me Serbinë duhet të shqyrtohet në Parlament.

Skënder Hyseni

“Absolutisht, nuk guxon të fuqizohet asnjë marrëveshje. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon ta funksionalizojë, ta zbatojë asnjë marrëveshje pa u ratifikuar e njëjta në Parlamentin e Kosovës me dy të tretat e votave, siç kërkohet zakonisht në rastin e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare”, theksoi Hyseni.

Hyseni u shpreh se mënyra e deritashme e zhvillimit të këtyre bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ka dhënë ndonjë indikacion se bisedimet mund të sjellin rezultate.

“Na bën ta shohim me pesimizëm këtë situatë dhe rrjedhën e këtyre bisedave. Në rend të parë është rangu i përfaqësimit të këtyre bisedave. Në njërën anë kemi rang të zëvendëskryeministrit, e në anën tjetër kemi një drejtor politik, drejtor departamenti në Ministrinë e Jashtme. Gjuha publike, e cila përdoret, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, sidomos në Beograd, lë pak hapësirë për të besuar se do të ketë zhvillime pozitive
”, vlerësoi Hyseni.

Dialogu Prishtinë - Beograd ka nisur dhe po zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, me asistencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
XS
SM
MD
LG