Ndërlidhjet

Bizneset kërkojnë lehtësi


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Kosovë vlerësojnë se burokracia, procedurat e tepërta për fillimin e një biznesi dhe sundimi i ligjit, janë pengesat kryesore që pengojnë bizneset kosovare dhe investitorët e huaj të bëjnë biznes në Kosovë. Ata thonë se pa eliminimin e këtyre pengesave, nuk mund të krijohet një ambient i favorshëm afarist.


Krijimi i një klime të favorshme për zhvillimin e biznesit në Kosovë, do të ishte një mundësi e mirë për zhvillimin ekonomik të vendit, thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet kosovare duhet të fillojnë të bëjnë reforma konkrete për përmirësimin e ambientit afarist në Kosovë.

“Sa i përket lehtësirave, të cilat do të mund të implementoheshin nga ana e Qeverisë së Kosovës, në radhë të parë do të duhej të kishim një aplikim më të saktë, më të qartë të konceptit të tregtisë së lirë, që nënkupton të mos ketë aq shumë rregulla e strategji të ndryshme, që janë aq të tepërta sa nuk e lejojnë ekonominë e tregut të lirë të funksionojë në mënyrë të ligjshme. Ato, në anën tjetër, e rregullojmë aq shumë, sa që e pamundësojnë funksionimin e saj”
, thotë Zeka.

Pengesë e madhe për zhvillimin e biznesit mbetet edhe furnizimi me energji elektrike. Zeka tregon se kanë marrë reagime të shumta nga ana e bizneseve që pavarësisht kontratave që kanë me Korporatën Energjetike të Kosovës, ata mbesin pa furnizim me energji me orë të tëra.

“Sa i përket lehtësive tjera mendoj që Qeveria do të duhej të hartonte një pako të mirë të subvencionimit të prodhimtarisë. Dimë që ekziston një program i subvencionimit, por ajo çka kemi parë këto subvencione nuk ndahen në mënyrë të rregullt”, shprehet Zeka.

Qeveria e Kosovës, ditë më parë shpalosi programin për fillimin e reformave e “Të bërit biznes 2011–2014”, me qëllim, siç është thënë, të përmirësimit të mjedisit afarist, si dhe aktivizimit të potencialit ekonomik të qytetarëve të Kosovës.

Nga vendi i 119, ku është radhitur Kosova nga Banka Botërore, Qeveria përmes këtij plani synon që deri në vitin 2014 Kosova të hyjë në listën e 40 vendeve të para.

Edhe sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thekson se biznesi kosovar po ngulfatet nga procedura të panevojshme.

Berat Rukiqi

“Burokracia, licencat dhe sundimi i ligjit janë ato pengesat që kryesore që deri sot i pengojnë, jo vetëm bizneset tona, por edhe investitorët e huaj, dhe fokusi duhet të jetë në këto aspekte”
, thekson Rukiqi.

Për ambient të pafavorshëm biznesor, Kosova vazhdimisht është kritikuar edhe në raportet e Bankës Botërore. Në njërin nga raportet e fundit të këtij institucioni financiar ndërkombëtar, Kosova kritikohet për procedurat e tepërta për fillimin e një biznesi.

Berat Rukiqi thekson se deri më tani institucionet tona janë treguar joefektive në përmirësimin e kësaj gjendjeje.

“Duke e pasur parasysh pozitën tonë në raportet dhe vlerësimet që kanë bërë mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë, deri tash nuk është punuar në këtë drejtim. Burokracia gjithnjë ka qenë në rritje”,
shton Rukiqi.

Sektori privat, që konsiderohet si fusha kryesore për zhvillimin ekonomik në vend, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, duhet të ndihmohet dhe gjithashtu t’i krijohen kushte të favorshme për zhvillimin e veprimtarisë.
XS
SM
MD
LG