Ndërlidhjet

WP: Çka vjen tash, pasi bin Ladeni nuk është më?


Pakistan

Pakistan

"Washington Post"

Vrasja e Osama bin Ladenit ka ndikuar që disa në Uashington të konkludojnë se tash janë të mundshme ndryshimet radikale në politikën e Shteteve të Bashkuara në Azinë Jugore.

Disa në Kongresin amerikan thonë se trupat e Shteteve të Bashkuara në Afganistan, duhet të kthehen me të shpejtë në shtëpi.

Ndihma për Pakistanin duhet të zvogëlohet ose të ndalet, ose qeveria e këtij vendi do të detyrohet të veprojë me vendosmëri kundër grupeve ekstremiste islamike në territorin e saj.

Administrata Obama thotë se talibanët tash do të duhej të ndaheshin nga ajo që ka mbetur nga rrjeti Al-Kaida dhe të fillojnë të zhvillojnë negociata për zgjidhje me Qeverinë e Afganistanit.

Në realitet, është shumë herët të dihet i gjithë ndikimi i operacionit të Shteteve të Bashkuara në Abotabad të Pakistanit. Por, thirrjet për ndryshim fundamental politik duken sikur vetëm dëshira dhe të udhëzuara gabimisht.

Megjithëqë vrasja e bin Ladenit ishte triumf moral dhe taktik për Shtetet e Bashkuara, duket se me gjasë nuk do t’i ndryshojë sfidat fundamentale në rajon.

Disa nga idetë e gabuara mund të ndërlidhen me retorikën e administratës. Presidenti Obama ka insistuar në definimin e misionit në Afganistan si mundje e Al-Kaidës. Kjo do të thotë se nëse lideri i Al-Kaidës është eliminuar, fitorja në luftë është afër.

Por, Al-Kaida tashmë nuk është i vetmi ose, madje, edhe shkaku primar për vendosjen e trupave të Shteteve të Bashkuara në Afganistan.

Ekziston, po ashtu, prioriteti kritik i parandalimit të forcave ekstremiste islamike, që ta marrin pushtetin në Pakistan, që para një dekade dukej perspektivë e largët, por tash ky është kërcënim shumë real.

Për këtë arsye, është interes vital i Shteteve të Bashkuara, që t’i parandalojë talibanët, që tash operojnë në të dy anët e kufirit, nga krijimi i bazave në secilin vend.

Prania e Osama bin Ladenit në qytetin ushtarak e ka riforcuar nocionin se Pakistani po luan “lojë të dyfishtë”, duke i mbështetur disa grupe ekstremiste, derisa u ndihmon Shteteve të Bashkuara për t’i luftuar ato.

Në fakt, elita në Pakistan është e ndarë ndërmjet atyre që e favorizojnë aleancën me perëndimin dhe demokracinë sekulare, dhe e atyre që qëndrojnë në strategjinë e mbështetjes së grupeve terroriste, si mënyrë për të ushtruar ndikim në Afganistan, për ta dobësuar Indinë dhe për ta penguar tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga rajoni.

Administrata Obama ndoshta tash do të jetë në gjendje t’i masë koncesionet për Pakistanin, siç është ndihma kundër liderëve të tjerë të Al-Kaidës në territorin e tij.

Por, “loja e dyfishtë” me gjasë do të vazhdojë, pasi lufta e vetë Pakistanit lidhur me identitetin e tij, është larg nga përfundimi.

Duke e ndërprerë ndihmën, veçanërisht atë ekonomike, Kongresi vetëm do ta dobësonte anën pro-amerikane në këtë luftë.

Marrëveshja me liderët e talibanëve në Afganistan do ta kishte efektin e njëjtë. Ajo do t’i forconte ata në Pakistan, që u kanë ndihmuar liderëve talibanë dhe lëvizjes do t’i jepte një nxitje drejt pushtetit në të dy vendet.

Është vështirë të besohet se talibanët do të tërhiqen nga ideologjia mesjetare ose të pranojnë demokraci përfaqësuese, dhe është e rrezikshme të supozohet se pjesa më e madhe e afganëve, që e refuzojnë lëvizjen, do t’i lejojnë asaj kontrollin ndaj ndonjë pjese të vendit.

Përfundimisht, vrasja e Osama bin Ladenit, nuk do ta lehtësojë misionin e fortë, të dhembshëm dhe kushtues të Shteteve të Bashkuara në Azinë Jugore.

Kjo nënkupton ndërtimin e Qeverisë afgane stabile, që mund ta mbrojë vetveten dhe mbështetjen e konsolidimit të pushtetit sekular civil në Pakistan.

Administrata duhet t’i korrë të mirat taktike nga vrasja e liderit të al-Kaidës, të shtyjë për çfarëdo avantazhi diplomatik që mund të fitohet, por duke mos e humbur pamjen e objektivave më të mëdha. (f.b.)
XS
SM
MD
LG